Korçë, katër kishave u del pronari

21/01/2013 00:00

Disa kisha në fshatin Liqenas të Korçës u ka dalë pronari. “Shtëpitë” e
Zotit tashmë mund të përdoren nga banorët e fshatit, për nevojat e tyre,
në bazë të një vendimit të AKKP-së.

Vendimi i dhënë në fund të vitit të kaluar ka irrituar fillimisht Mitropolinë e Shenjtë në Korçë dhe më pas Kishën Ortodokse në Shqipëri. Me një padi në Gjykatën e Tiranës, ato kërkojnë shfuqizimin e këtij vendimi, pasi prek drejtpërdrejt besimtarët e tyre në këtë zonë, e cila është minoritare, madje kanë edhe vlera historike.

Padia në gjykatë

Disa ditë më parë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Mitropolia e Shenjtë në Korçë kanë bërë një padi në Gjykatën e Tiranës. E paditur është pikërisht Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Objekti i padisë është kundërshtimi i një vendimit të AKKP-së në Tiranë në muajin dhjetor të vitit të kaluar. “Kërkojmë kundërshtimin dhe ndryshimin e vendimit nr.681, datë 7 dhjetor 2012 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë, duke njohur dhe kthyer kishat së bashku me trojet e tyre”, thuhet në padi, ndërsa më pas specifikon edhe kishat që u janë kthyer pronarëve. “AKKP-ja u ka dhënë disa shtetasve kishat e Shën Thanasit, Shën Mërisë dhe Shën Palit”, vijon padia, ndërsa thotë se të tria këto kisha ndodhen në fshatin Liqenas të rrethit Korçë, buzë liqenit të Prespës. “Kisha ndodhet në fshatin Liqenas. Agjencia, përveç kishave, ka dhënë edhe pronësinë ish–kullotë dhe pyll të Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Goricë e Vogël në Komunën Liqenas. Bëhet fjalë për disa sipërfaqe prej 9500 m2, 8500 m2, dhe 10470 m2”, thuhet në padi. Gjykata e Tiranës pohon se ka regjistruar këtë çështje, ndërsa gjyqtarja Enkelejda Metaliaj (Softa) do të vendosë edhe për seancën e parë.

Zonë turistike

Fshati Liqenas është konsideruar si zonë turistike dhe vitet e fundit ka pasur mjaft kërkesa për troje, ku po ndërtohen dhjetëra vila. Shtrirja e tij buzë liqenit të Prespës e ka bërë mjaft të preferuar për ndërtime të shtëpive të pushimit, ku, krahas banorëve të zonës, ka pasur kërkesa edhe nga shtetas të tjerë. Kjo ka sjellë që të rritet vlera e trojeve, ndërsa ish-pronarët kanë kërkuar të marrin çdo pronë publike. Vendimi i fundit i AKKP-së ka sjellë irritimin e Kishës Ortodokse, ndërsa më parë, në këtë zonë, ka pasur përplasje të vazhdueshme për emërtimet e rrugëve dhe objekteve, të cilat, si gjuhë të parë, kanë atë maqedonase dhe jo shqiptare.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB