
Opozita organizoi të hënën, në dyvjetorin e vrasjes se katër protestuesve, një marshim homazh në bulevardin “Dëshmoret e Kombit” në Tiranë. Lulet e para u vendosën në portretin e Aleks Nikës nga i ati, bashkëshortja dhe të afërm të cilët janë ndalur të përlotur për pak minuta.
Të ardhur nga Fieri bashkëshortja e Faik Myrtajt së bashku me djalin Renaton, të pllakosur nga dhimbja e rikujtimit të humbjes së të kryefamiljarit, u përulën përpara portretit me një dhimbje të dyfishtë pasi pak kohë nga vrasja e Faikut, djali i tij më i vogël Bardhoshi nga dhimbja e humbjes së babait do të vetëvritej.
Më pas Ana e bija e Ziver Veizit, lotët e të cilës janë kthyer në simbolin e dhimbjes së 21 Janarit së bashku me të vëllain Keidin, nënën e tyre dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, ndaluan përpara portretit të Ziverit po në atë vënd ku dy vjet më parë një plumb do t’i merrte jetën.E përqafuar nga kreu opozitës Edi Rama të dy janë ulur në gjunjë duke prekur trotuarin i cili më 21 Janar u përgjak. Edhe në këtë përvjetor të dytë nuk mungoi as nëna e Hekuran Dedës.
Tek portretet e të katër të vrarëve Edi Rama ka vendosur nga një karafil të kuq pasuar nga drejtuesit më të lartë të opozitës dhe qytetarët. Ceremonia përkujtimore vijoi me shfaqjen e një dokumentari në kinema Millenium, përgatitur nga PS me titull “21 Janari, Plaga e hapur”.
Në fjalën e tij kreu i opozitës Edi Rama iu referua drejtësisë së munguar për 21 Janarin.
“Plaga është jo vetëm e hapur, mbi të gëlon infeksioni i padrejtësisë. Shqipëria sot është ende më e padrejtë se dy vjet më parë. Vrasjet në bulevard janë riparuar nga rivrasjet në çdo seancë të procesit gjyqësor. Plaga e infektuar pre padrejtësisë flet kumbueshëm. Ashtu e infektuar keqaz, ajo bëri të flasin më qartë se asnjëherë deri më sot për 21 Janarin, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Por ne skemi asnjë iluzion. Asnjë iluzion nuk duhet të ketë, kushdo që do drejtësi për 21 janarin! Vetëm largimi i pushtetit që vrau, mund të afrojë ditën e ndëshkimit për vrasjet. Po drejtësia për 21 janarin është shumë më shumë se sa një gjykim i drejtë për katër vrasje. 21 janari ndan dy botë, dy kuptime të kundërta për qeverinë dhe të qeverisurit. 21 Janari ndan dy rrugë të ndryshme për të ardhmen”, tha Rama.
Rama foli për një Shqipëri tjetër 21 Janarin e ardhshëm.
“Unë nuk e di nëse qysh 21 Janarin e ardhshëm ne do të kemi mundësi të marrim frymë lirisht kur të vendosim lulet në vendvrasjen e Ziverit, Aleksit, Hekuranit dhe Faikut, duke u pëshpëritur drejtësia u bë, fajtorët u ndëshkuan. Por që sot unë mund të them pa asnjë fije dyshimi se 21 Janarin tjetër, Shqipëria nuk do të jetë më e kapur prej fyti dhe shqiptarët nuk do të jenë më të pasigurt prej krimit, të dekurajuar prej presionit, e të neveritur prej politikës së gënjeshtrave e baltës. Sepse ne do të qeverisim për shqiptarët duke ua respektuar në çdo hap vullnetin sovran dhe liritë e të drejtat e tyre, edhe në emër të katër dëshmorëve të 21 janarit”, shtoi Rama.
Pas ceremonisë në kinema Millenium,, familjarët e të ndjerëve, kreu i opozitës dhe bashkëshortja Linda ecën bashkërisht në rrugën pedonale.
Pengimi i mediave në tubimin e PS, reagon selia rozë
Partia Socialiste akuzoi Kryeministri Sali Berisha, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha në kohën kur ndodhën vrasjet e 21 janarit, sot në postin e kryebashkiakut të Tiranës, se urdhëruan moslejimin e stacionimit në rrugën pedonale, të furgonave të televizioneve që do të transmetonin direkt ceremoninë e opozitës në kinema “Millenium”. Nëpërmjet deputetit Saimir Tahiri, kryetar i PS-së në Tiranë, opozita e dënoi këtë veprim.
“Ky njeri me policinë e shtetit dhe policinë bashkiake dhe me bashkëpunimin e ish-ministrit të tij të brendshëm në 21 janar, ndaluan mediat të transmetonin direkt një aktiviteti të PS. Sot pamë se si i njëjti njeri që vrau katër protestues paqësore me rregullore të oborrit, përsëri u përpoq të ndalojë publikun të shohë një filmim të përgatitur nga PS për ngjarjet e 21 janarit. Sot pamë se si po i njëjti njeri që dha urdhër për të qëlluar në 21 janar, në bashkëpunim me ish-ministrin e tij të Brendshëm dhe po i njëjti njeri që sot pengon drejtësinë të bëjë drejtësi dha përsëri urdhër që me polici të pengojë publikun të shohë të vërtetëtat e 21 janarit”, tha Tahiri.
Tahiri në emër të opozitës paralajmëroi Kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Basha se nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë për rolin e tyre në 21 janar.
“Ne e garantojmë Kryeministrin se drejtësia nuk do të mbetet në dorën e tij. Ne e garantojmë ish-ministrin e Brendshëm dhe sot kryetarin e Bashkisë se nuk do të mund t’i shpëtojë dot drejtësisë. Ne e garantojmë të gjithë zinxhirin e gardistëve të verbër të Kryeministrit se nuk do të mund t’i shpëtojnë dot drejtësisë dhe garantojmë qytetarët, garantojmë publikun, garantojmë edhe njëherë familjarët e katër viktimave se drejtësia do të bëhet një orë e më parë, pas 23 qershorit, se gjithcka do të bëjmë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësit të dalin para ligjit”, tha Tahiri.
Berisha: Me 21 janar, grusht shteti
Kryeministri Sali Berisha dhe dy vjet pas ngjarjes së 21 janarit deklaroi se në këtë ditë një grusht aventurierësh donin të rrëzonin me dhunë qeverinë e zgjedhur me votën e lirë. Ky ishte rasti i parë që prej 1924, që u tentua kjo gjë, por sipas Berishës, historia i hodhi në kosht ata që organizuar këtë rebelim.
“Si një komb dhe rajon qe kemi plot histori, perseri nuk mund te mos theksoj se me 21 janar, dy vjet me pare, nje grusht aventurieresh bene perpjekjen per te rrezuar me dhune pushtetin e dale me vote. Ky ishte akti me i shemtuar, qe nga viti 1924, deri ne ditet e sotme ne historine e institucioneve shteterore. Ata qe menduan se me dhune do te mund te kishin mandatet e tyre, ata përfunduan në koshin ku e kane vendin të gjithe ata qe mendojne si ata. Por, duke shprehur edhe nje here ngushellimet e mia familjeve te viktimave te Edi Rames, i kerkoj te nderprese cdo forme presioni ndaj drejtesise, sikunder garantoj qytetaret se Qeveria do te beje githcka qe e verteta te dale dhe drejtesia te veproje. Por deri me sot, asnjeri prej atyre qe organizoi, pagoi dhe mashtroi njerez te hurit dhe te litarit, te cilet erdhen per te permbysur pushtetin me dhune dhe krijuan viktima para nderteses se Keshillit te Ministrave, vetem e vetem se zoti Rama donte te mbante fjalim nga ballkoni i zyres time, dhe tani perpiqet te mbledhe vota me kortezhe morotore per te cilat ai ka pergjegjesi maksimale”, tha Berisha.
KiE: Hetim i plotë për 21 janarin
Në dyvjetorin e ngjarjes tragjike të 21 janarit ka reaguar edhe Komisioneri per te Drejtat e Njeriut ne Keshillin e Europes, Nils Muiznieks.
“Kanë kaluar dy vjet pas ngjarjeve të dhimbshme në Tiranë ku katër protestues u vranë dhe nje numër policësh e protestuesish të tjerë u plagosën. Mbetem tejet i shqetësuar prej faktit që disa nga personat përgjegjës për këto akte të dhunshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë ende llogari para drejtësisë”, thekson ai. Komisioneri nxit qeverinë shqiptare qe të vijojë me përfundimin e një hetimi tërësor, të paanshëm dhe të besueshëm dhe një proces të rregullt gjyqësor, për të dhënë kësisoj një sinjal të qartë që pandëshkueshmëria për shkeljet serioze të të drejtave e njeriut është e papranueshme”, thekson ne deklaraten e tij komisioneri i Këshillit të Europes.
Spahiu: Berisha do të shkojë në burg
Duke iu referuar ngjarjes së 21 janarit dhe mosveprimit të drejtësisë për ndëshkimin e përgjegjësve, kreu i Aleances Kuqezi Kreshnik Spahiu tha se përgjegjësi për këtë krim është kryeministri Berisha, i cili duhet t’i kalojë drejtësisë për krimin e vrasjes, korrupsionit dhe tradhetise ndaj Atdheut.
“Sali Berisha shtiu mbi popullin, jo për të mbrojtur Atdheun, por për të mbrojtur kolltukun e tij, një kolltuk, të cilin në pragun e zyrës së tij e konsideron si pragu i shtëpisë. Aleanca Kuqezi deklaron se i pandehuri Sali Berisha ka kryer tre krime shtetërore, vrasje masive në bashkëpunim dhe me paramendim, tradhëti kombëtare duke dorëzuar pjesërisht territorin shqiptar qeverisë greke dhe korrupsion aktiv në mënyrë sistematike për të tre këto krime, shtetasi dhe i pandehuri Sali Berisha meriton dënim me burgim të përjetshëm dhe ai nuk do i shpëtojë qelive të burgut”, tha Spahiu.
Top Channel