PS: Do të hetojnë rastin “Argita”

20/01/2013 00:00

PS thotë se reagimet e Argita Malltezit nuk i japin përgjigje, pyetje të adresuara, por janë një baltosje e përhershme dhe shpifje të zakonshme.

Deputeti Taulant Balla deklaroi se korrespondenca mes vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi, dhe biznesmenit Zafar Ansar, sipas ligjit, është një konflikt i hapur interesi. “Ndërsa ti dhe babai yt duhet të hetoheni dhe të gjykoheni për këtë akt të pastër korruptiv. Ky është korrupsioni, që mban peng rrugën e integrimit të Shqipërisë sonë”, theksoi Balla.

“Mbeten edhe 154 ditë, nga dita kur shqiptarët do t’i tregojnë vendin këtij blloku të ri milionerësh. Nëse kalamajtë e babit mendojnë se mund të pengojnë sot drejtësinë, duke u fshehur pas pushtetit të gjykatave të babit tani, pas 23 qershorit nuk do të mund të fshihen më nga drejtësia dhe përgjegjësia publike. Pas 23 qershorit do të rilindë Shqipëria. Do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Një drejtësi e vërtetë, që do të mundësojë hetimin e plotë dhe gjykimin e paanshëm të pasurimit të bllokmenëve të rinj në pushtet. Prandaj, Sali Berisha bën mirë të fillosh të mendosh tani, me këmbë në tokë, për transparencën e pasurimit të kalamajve të tu. Lëri institucionet të bëjnë detyrën që sot, pasi pas 23 qershorit sigurisht që hetimi dhe gjykimi do të bëhet”, tha Balla.

Pas deklaratës së deputetit Balla, reagoi Argita Malltezi, e cila e quan atë si serialin e radhës të shpifjeve dhe sulmeve politike të Edi Ramës. “Jua përsëris dhe një herë, që standartet e mia të transparencës dhe respektimit të ligjit, gjatë aktivitetit tim, dallojnë si dita me natën me ato tuajat dhe, sa më shumë përpiqesh të shpëtosh duke i krahasuar, aq më i pabesueshëm dukesh para publikut”, shprehet Argita Malltezi, në fillim të deklaratës.

Duke iu drejtuar Edi Ramës, Argita Malltezi thotë: “Tarifat e punës sime, si avokate, i kam patur publike dhe në përputhje të plotë me ligjin e avokatisë. Unë ju ftoj juve të bëni publike burimin e 100 milionëshit të huasë pa interes të znj.Lindita Basha si dhe të gjitha faturat e investimit prej 1 milion euro në pallatin pesë-katësh të  familjes së saj, tatimet e paguara për to dhe transaksionet bankare për financimin e tij”.

Top Channel