Rreshjet e pandërprera të shiut dhe bllokimi i kanalizimeve nga inertet kanë përmbytur sipërfaqe të tëra toke në fushat e Myzeqesë.
Më të dëmtuara janë zonat e Tërbufit që kanë marrë pamjen e një kënete, fshatrat e Divjakës, komunës së Çermës etj.
Uji është bërë zot i këtyre sipërfaqeve dhe duket se do të qëndrojë gjatë në to. Kjo, pasi veç intesitetit të lartë të rreshjeve, problemi qëndron edhe tek mosfunksionimi i kanaleve parësore e dytësore që në shumicën e rasteve kanë më shumë se 15 vite pa u pastruar.
Zona më e pushtuar nga uji është ajo e Tërbufit e cila ka hyrë në muajin e tretë të përmbytjeve. Një nga kanalet parësore të zonës është bllokuar për shkak se firma që ka ndërtuar rrugën Lushnje-Gërmenj ka hedhur të gjitha inertet në kanal.
Nëse nuk do të merren masa për ndërhyrje të menjëhershme në këto zona, ato rrezikojnë të kthehen në moçalet e dikurshme.
Top Channel