Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç përgënjeshtroi deklaratat e
homologut Hashim Thaçi, se është arritur marrëveshja për çmontimin e
institucioneve serbe në veri të Kosovës.

Në një intervistë për televizionin “B92”, Daçiç theksoi se kanë nisur bisedimet për të gjetur një zgjidhje për popullin serb në “Krahinë”, por jo për shpërbërjen e strukturave.

“Nuk është e saktë se kemi nisur çmontimin. Ne kemi filluar bisedimet për të caktuar se cila do të jetë ajo pozitë speciale e popullit serb në Kosovë e Metohi, në një situatë kur nuk po flasim për statusin përfundimtar”, deklaroi Daçiç.

Shefi i qeverisë serbe nënvizoi më tej se, bisedimet mund t’i interpretojë secili në mënyrën e vetë, por Serbia nuk do t’i tërheqë institucionet paralele.

Ai përsëriti qëndrimin e njohur të Beogradit, se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por se ka hyrë në bisedime pasi i intereson gjendja e popullit serb atje.

“Aktualisht po arrihen zgjidhjet që janë paraqitur në platformën serbe. Ato institucione janë institucione të popullit serb dhe do të ishte mirë të njiheshin edhe nga Prishtina”, shtoi Daçiç.

Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica kërkoi dorëheqjen e Daçiç, për shkak të vazhdimit të politikave për vendosjen e kufirit me Kosovën.

Jovanoviç: Dialogu të shoqërohet me reforma

Ndërkohë, kryetari i Partisë Liberal-Demokrate serbe, Çedomir Jovanoviç deklaroi se mbështet temat racionale që po trajtohen në bisedimet mes kryeministrave Daçiç dhe Thaçi.

Por ai vuri në dukje se efektet pozitive të dialogut duhet të reflektohen nga një politikë e re ndaj Kosovës, që të zgjidhë njëherë e mirë mosmarrëveshjet me fqinjin.

“Ata që drejtojnë vendin janë të detyruar të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të heqin dorë nga shmangia e së vërtetës dhe ruajtja e iluzioneve”, tha Ivanoviç, i cili u shpreh kritik ndaj politikave radikale.

“Politikanët të cilët për 20 vjet kanë qenë robër të lajthitjeve të tyre, sot nuk kanë të drejtë të pengojnë negociatat dhe rezultatet e tyre, të kërkojnë me egoizëm zbatimin e kërkesave të tyre, apo të përdorin pretekste patetike”, vlerësoi Ivanoviç në një shkrim autorial.

Ai theksoi se, çdo progres në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me motivimin për reforma serioze në Serbi.

“Nuk ka nevojë për rritjen me qëllim të tensioneve nacionaliste, të serbizimit, apo për kompensime të tjera me të cilat pushteti po tenton të shfaqet si mbrojtës i ngurtë i interesave kombëtare”, u shpreh Jovanoviç.

Top Channel