Me parrullat “Të gjithë së bashku, t’i fshijmë neonazistët” dhe “Athina, një qytet antifashist” , mbi 4000 demostrues kanë kryer një marshim proteste në rrugët e Athinës për t’u përqendruar më pas në sheshin “Sintagma” para parlamentit grek.

Marshimi ka filluar me protestuesit që mbanin në duar portretin e 27-vjeçarit pakistanez që është vrarë ditën e enjte nga dy qytetarë grekë në respekt të të cilit është mbajtur edhe një minutë heshtje.

Madje komuniteti pakistanez ka sjellë edhe arkivolin e emigrantit fatkeq që ka humbur jetën në një sulm të egër me thika në zonën Petralona të kryeqyetit dhe mijëra emigrantë janë lutur për të.

Protestën e ka organizuar Lëvizja Të Bashkuar kundër Racizmit dhe Kërcënimit Fashist, si dhe komunitetet e emigrantëve, shoqatat e studentëve dhe të intelektualëve të vendit, shoqatat sportive, sindikata të ndryshme, përfaqësi  të bashkive dhe të administratës qendrore të vendit. Më pas është dhënë dhe një koncert me pjesëmarrjen e shumë grupeve muzikore.

Organizatat antifashiste dënojne me forcë fenomenin e dhunës dhe të sulmeve raciste që janë përshkallëzuar në mënyrë alarmante në Greqi në vitet e fundit, duke kërcënuar liritë demokratike, barazinë sociale dhe bashkëjetesën paqësore të qytetarëve pavarësisht nga ngjyra dhe origjina.

Protestuesit kanë kërkuar që qytetarët e thjeshtë të pengojnë praktikat e dhunës së papranueshme që jo vetëm po përcajnë shoqërinë, por gjithashtu përfaqëson një terren pjellor për neonazistët.

“Është mënyra më e mirë e përgjigjes ndaj sondazheve që sjellin neonazistët e Agimit të Artë si forcë të tretë politike në vend”, ka deklaruar një aktivist i lëvizjes antifashiste.

Në shenje solidariteti , protesta te ngjashme jane parashikuar per kete fundjave ne shumë qytete në mbarë botën duke përfshirë Londren, Edinburgun, Dublinin, Barcelonen, Parisin, Nju Jorkun dhe Çikagon.

Top Channel