Nga zëdhënës i “Kasapit” të Ballkanit në “udhëheqës vizionar”. Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka marrë lëvdata nga presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, pas takimit të veçantë që zhvilluan në Bruksel.
“Megjithë sfidat që na presin, jam i inkurajuar sepse sot tek kryeministri pash një burrë me vizion për të ardhmen e vendit të tij. Jam i bindur se ai do të bëjë gjithçka që mundet për ta sjellë Serbinë më afër Bashkimit Europian”, ka thënë Van Rompuy.
“Me zotin Rompuy jam takuar edhe kur sapo u zgjodha kryeministër. Ka kaluar një gjysmë viti dhe besoj se kemi arritur rezultate domethënëse. Ndoshta, madje jo ndoshta por me siguri e them edhe më shumë se ç‘pritej nga ne. Dhe unë besoj se herën tjetër që do të takohemi unë do të jem në pozicionin e kryeministrit të një vendi që i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE”, ka thënë nga ana tjetër Daçiç.
Pak orë pas bisedimeve të fundit, Van Rompuy ruajti lëvdata edhe për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe për baroneshën Ashton që plotësojnë treshen e dialogut të Brukselit dhe i kërkoi Serbisë të vijojë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Megjithë rëndësinë e axhendës së përgjithshme të reformave, normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën mbetet tashmë kërkesa kyçe për Serbinë dhe për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kjo përfshin respektimin e plotë të parimeve të një bashkëpunimi rajonal gjithpërfshirës, bashkëpunimin aktiv me EULEX-in dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështjet më të vështira në veriun e Kosovës. BE do ta mbajë premtimin e saj ndaj Serbisë”, ka thënë më tej Van Rompuy.
Vendet anëtare pritet të rishikojnë në pranverë nëse ëshë arritur progres i mjaftueshëm në dialogun e Brukselit, me synim marrjen e një vendimi të mundshëm për çeljen e negociatave për anëtarësim me Serbinë.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel