Përmbytje në Durrës, Krujë e Fier

18/01/2013 00:00

Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orët e fundit kanë shkaktuar situatë
kritike në qytetin bregdetar të Durrësit dhe veçanërisht në lagjet
periferike. Shkolla 9-vjecare Hasan Koci në Shkozet ka mbyllur dyert për
nxënësit, pasi oborri i saj është përmbytur dhe uji ka depërtuar brenda
në godinë.

Situata është kritike në zonën e Shkozetit, si dhe në atë të plazhit, ku banorët kanë nisur të protestojnë ndaj autoriteteve dhe strukturave lokale.

“Deri kur do të vazhdojë kjo situatë? Cfarë bën Qeveria, e cila kërkon vetëm votat dhe harron që këta njerëz përmbyten. Ky problem është i vazhdueshëm”, thotë një banor.

Në zonën e plazhit banorët kanë bllokuar rrugën dytësore, duke mos lejuar asnjë automjet të kalojë nëpër të, ndërsa akuzojnë pushtetarët qëndrorë dhe vendorë që vetëm japin premtime elektorale dhe nuk arrijnë dot të zhbllokojnë dhe mirëmbajnë kanalet kulluese që ndodhen jashtë funksionimit.

Banorët e plazhit dhe Shkozetit shprehen gjithashtu se nuk janë kompensuar asnjëherë për dëmet e shkaktuara edhe pse kanë bërë vlerësimet pas cdo përmbytjeje, ndërsa shtëpitë dhe bizneset e vogla vijojnë të ndodhen në ujë dhe gjendja të rëndohet gjithnjë e më shumë.

Burime nga prefektura e qarkut Durrës pohojnë, se edhe në rrethin e Krujës ka probleme të shkaktuara nga reshjet e shumta. Afro 20 shtëpi ndodhen nën ujë, ndërsa dhjetëra hektarë tokë dhe banesa të tjera janë të izoluara nga uji.

Erzeni përmbyt Shijakun
Banorët kërkojnë të strehohen në mjediset e Bashkisë

Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka krijuar një situatë tejet të rënduar në qytetin e Shijakut. Rreth 20 shtëpi janë kthyer në të pabanueshme, ndërsa banorët kanë protestuar ndaj situatës së përsëritur, duke bllokuar rrugën në hyrje të qytetit.

Situata më e rënduar është për familjet, që banojnë në zonën e ish-fushave të volejbollit, të cilave Bashkia u ka bërë thirrje që të strehohen te të afërmit, ndërsa disa prej tyre, krejt të pashpresë për gjendjen, kanë kërkuar të strehohen brenda godinës së Bashkisë.

Gjendja vlerësohet alarmante edhe nga kryebashkiaku i Shijakut, Indrit Buka, pasi shumë familje të tjera rrezikojnë të braktisen, për shkak të ujërave që zgjerojnë territorin e tyre.

18 dhjetorin e kaluar këto familje u përmbytën sërish dhe, ende pa u rehabilituar mirë nga pasojat e para, ujërat vërshuan rishtazi në banesat e tyre.

Për afro 45 minuta, aksi rrugor Durrës-Shijak, pikërisht në Urën e Erzenit, ka qenë i bllokuar nga banorët, që kërkojnë ndërhyrjen sa më të shpejtë të qeverisë, pasi përmbytjet janë të përsëritura.

Ndërhyrja e forcave policore të Shijakut ka kthyer normalitetin në qarkullim, kurse banorët thonë se do të vijojnë protestat.

Gjanica përmbyt Fierin

Dhjetëra banesa janë përmbytur nga ujërat e lumit Gjanica në Fier. Ujrat
e rrëmbyer vërshuan me furi pas reshjeve të natës, duke marrë përpara
gjithçka dhe duke krijuar një situate të vështirë në qytet.

Nderkohe per nje familje eshte kerkuar ndihma e policise per shkak se pjestaret e saj mbeten te izoluara ne banesen e rrethuar nga uji.

Shkak për daljen nga shtrati të lumit Gjanica përveç reshjeve është bërë dhe ngushtimi i shtratit të këtij lumi. Niveli i ujit që arrin 50 centimetër ka përmbytur sipërfaqet ku ndodhet dhe banesa dhe disa biznese.

Dalja, nga shtrati, e lumit Gjanica, përveç dëmeve të shumta ekonomike, ka lënë të izoluar për më shumë se 16 orë dhjetra familje, në lagjen 1 Maji të qytetit të Fierit.

Është dashur ndërhyrja e shtabit të emergjencës dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, që një pjesë e tyre të evakuoheshin. Të evakuuarit ishin kryesisht gra dhe fëmijë.

Megjithëse përmbytja e ditës së premte nuk ka paraqitur rrezik për jetën e banorëve, janë marrë të gjitha masat për largimin e familjeve më të rrezikuara.

Gjatë gjithë pasdites, shtabi i emergjencës, punonjës të emergjencës së Bashkisë, grupe të FNSH-së si dhe punonjës të policisë së rendit, kanë qendruar pranë familjeve të përmbytura.

Edhe gjatë orëve të mbrëmjes, megjithëse niveli i ujit ka filluar të bjerë, familjet e përmbytura janë ndihmuar nga forcat e emergjencave civile.

Vitet e fundit situata në këtë zonë është konsideruara më e keqja e 20 viteve të fundit. Bashkia gjithmone ka deklaruar per projekte per sistemin e ketij lumi, por deri me tani situate ka vijuar te mbetet alarmante sa here qe ka reshje.

Përmbytje në Lezhë dhe Shkodër

Probleme me permbytjet jane shfaqur edhe ne Lezhe e Shkoder. Ne zonen e Lezhes ujrat e Drinit jane rritur por edhe zona fushore eshte renduar nga reshjet e shumta. Problematike eshte situata ne Tale, ndersa ne Shengjin me nderhyrjen e komunes ka arritur te rikthehet normaliteti.

Situata me e renduar eshte ne Barbullonje, Dajc, Blinisht e Zadrime. Ndërkaq në Shkodër raportohet se ka sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të mbuluara nga uji, por nuk ka probleme në zona të banuara.

Tiranë-Elbasan, vështirësi në kalimin e Qafë-Krrabës

Duke nisur prej mesdita e së premtes, rreshje intensive dëbore po godasin Qafë-Krrabën, duke vështirësuar kalimin në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.

Policia informon se kalimi është ende i mundur, por drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin zinxhira ose që të devijojnë rrugën nëpërmjet aksit Tiranë-Durrës-Peqin-Elbasan e anasjelltas.

Aktualisht, Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve mban në gatishmëri mjetet borëpastruese, ndërsa ka dërguar punonjësit e saj për të hedhur skorje e kripë për mbajtjen e rrugës të hapur.

Bllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë

Një masiv dheu është shembur në aksin  nacional Gjirokastër-Tepelenë, duke paralizuar totalisht qarkullimin në këtë aks.

Rrëshqitja e masivit ndodhi rreth orës 16.00 të së premtes, ndërsa fatmirësisht segmenti nuk po përshkohej nga ndonjë mjet. Mali prej dheu me lartësi rreth 10 metra bllokoi menjëherë të dy senset e kalimit.

Policia e qarkullimit rrugor ka bllokuar aktualisht këtë aks, ku në një gjatësi prej 10 km prej shpateve të malit po shemben masive të tjera dheu dhe pemësh në disa pika.

Katër fadroma po punojnë për hapjen e aksit nga dheu, por policia njofton devijim e kalimit të mjeteve që po udhëtojnë drejt Tiranës prej rrugës bregdetare e cila rezulton e hapur dhe pa probleme.

Policia njofton gjithashtu se është duke larguar nga ky aks nacional të gjitha mjetet dhe qytetarët që po presin hapjen e rrugës pasi i gjithë aksi konsiderohet mjaft i rrezikshëm dhe i pasigurtë.

I njëjti aksi ka qenë i bllokuar gjatë gjithë natës së shkuar ndërsa autoritetet flasin për një situatë që vështirë të mbahet nën kontroll. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB