Marrëveshja ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të serbisë, Ivica Daçiç për krijimin e fondit zhvillimor për veriun komentohet në forma të ndryshme nga partitë opozitare në Prishtinë.
Kryetari i lidhjes demokratike të Kosoëvs, Isa Mustafa nuk mundi të vlerësojë marrëveshjen e arritur në Bruksel me arsyetimin se ende nuk ka informata të plota për të. Megjithatë, i pyetur nga gazetarët ai tha se pret që kryeministri t’i raportojë Kuvendit për detajet e marrëveshjes.
“Ne akoma nuk kemi informata të plota lidhur me marrëveshjen. Unë mendoj se është e udhës që kryeministri kur të kthehet në Kosovë t’i raportojë Kuvendit të Kosovës, t’i raportojë edhe institucioneve të Kosovës. Deri më tani kemi pasur raportime të tilla, nuk mund të ankohemi se nuk kemi qenë të informuar dhe pas raportimit të radhës do të bëjmë vlerësimin”, ka thënë Mustafa.
Nga ana tjetër, nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti i quajti brengosëse për qytetarët e Kosovës zhvillimet e fundit. Sipas tij, sistemi financiar i Kosovës nuk e lejon që të krijohen fonde të veçanta dhe diçka e tillë çon drejt ndarjes politike dhe ekonomike të shtetit.
“Ajo që e kemi pasur si drojë para këtij dialogu po vërtetohet si e saktë. Lëvizja Vetëvendosje po e sheh se atje është dakorduar që të gjitha doganat që do të mblidhen në veri do të shkojnë në një fond të veçantë zhvillimor, siç po e quan kryeministri Thaçi. Kjo tregon se vetëm sa po krijohet baza e një autonomie, e ndryshimit të organizimit të brendshëm, ku një grup etnik dhe një territor i caktuar do të jenë një organizëm i veçantë. Presim të shohim tekstin e marrëveshjes, por gjasat janë që ata të jenë marrë vesh që ta ndryshojnë Kosovën”, tha Ahmeti.
Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje kritikoi edhe shefen e diplomacisë europiane Catherine Ahston për mos transparencë në këtë proçes. Kjo, për shkak se nga zyra e saj për një takim 5 orësh kanë ardhur vetëm disa rreshta në të cilët kufijtë e Kosovës quhen vendkalime dhe jo pika kufitare. Atë çfarë është arritur mbrëmë në Bruksel palët i kanë interpretuar në mënyrë të ndryshme.
Ndërsa baronesha Ashton në një komunikatë të shkurtër vetëm sa ka përmendur faktin që Thaçi e Daçiç kanë arritur mirëkuptim të përkohshëm për mbledhjen e taksave doganore në veri, kryeministri Thaçi ka shtuar se palët janë pajtuar po kështu për shpërbërjen e strukturave paralele në veri.
Top Channel