Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë mbyllën në orët e para të
mëngjesit takimin e katërt dhe më të gjatin në kuadër të dialogut të
ndërmjetësuar nga Brukseli, me nisjen kësaj here të bisedimeve për një
zgjidhje afatgjatë për veriun.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, ndërkohë që qeveria e Serbisë pritet të angazhohet për çmontimin e strukturave paralele të sigurisë në veri, qeveria e Kosovës është e gatshme të integrojë komunitetin serb në nivelet lokale dhe qëndrore të institucioneve të Kosovës, si dhe të respektojë vullnetin e këtij komuniteti për të zgjedhur udhëheqësit e tij.

Për homologun serb Ivica Daçiç, normalizimi i gjendjes në veri shërben për përfitimin e shpejtë nga Serbia të një date për nisjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.Në qëndrimet e tyre, Thaçi dhe Daçiç përsëritën se në çdo hap do të respektojnë kushtetutat respektive.

Sipas një komunikate për shtyp nga zyra e Përfaqësueses së Lartë të BEsë, në takim u arrit edhe një marrëveshje e përkohshme për mbledhjen e taksave doganore, akzicës dhe TVSHsë në pikë-kalimet mes dy vendeve.

Në të njëjtën komunikatë Catherine Ashton njofton se në takimin e ardhshëm, i cili pritet të mbahet në mes të muajit shkurt, Thaçi dhe Daçiç janë pajtuar të zhvillojnë një dialog intensiv për zgjidhjet për veriun e Kosovës.

Pergatiti: ERNEST BUNGURI

Top Channel