Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ivica Daçiç, për shkak të vazhdimit të politikave për vendosjen e kufirit me Kosovën.

Ai ka thënë se me marrëveshjet e Daçiç në Bruksel dridhen themelet e shtetit dhe ky është një veprim krejtësisht anti-shtetëror.

“Daçiç nuk ka asnjë legjitimitet për të kryer detyrën e kryeministrit dhe për këtë arsye duhet të ofrojë dorëheqjen”, ka thënë Koshtunica, i cili konsiderohet se kontrollon një pjesë të serbëve në veri.

Ai ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën ose të nisin proçedurat ligjore për vepra penale.

“Marrëveshja e re që ka bërë Daçiç për vendosjen e doganave mes Serbisë dhe Kosovës tregon se është krijuar një kufi ndërshtetëror. Daçiç ka thënë se nuk do të ndryshojë asgjë, kurse tani kemi edhe pagesat në dogana”, ka thënë Koshtunica.

Këtë deklaratë e kanë mbështetur edhe serbët e veriut, të cilët kanë thënë se nuk do të paguajnë kurrë doganë në Kosovë.

“Qëndrimi ynë është i qartë, pra ne duam të jemi në sistemin doganor të shtetit të Serbisë dhe asaj do t’i paguajmë tatime, kurse ata le ta përdorin si të duan”, ka thënë Sllavisha Ristiç, kryetar ilegal i Zubin Potokut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA