Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun kërkoi ndjesë për këngën nacionaliste serbe të vendosur në sfond me rastin e marrjes së kryesimit të Asamblesë së Përgjithshme nga Vuk Jeremiç, ish-ministri i Jashtëm serb që fitoi në zgjedhje përballë rivalit letonez.

“Kombet e Bashkuara nuk ishin në dijeni për domethënien e këngës tek disa persona. Zoti Ban Ki Mun shpreh keqardhjen e tij të sinqertë për këtë gjë dhe sqaron se nuk ishte në dijeni se përse bëhej fjalë në këngë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të enjten nga Martin Nesirky, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Incidenti lidhet me marrjen e detyrës së Vuk Jeremiç si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit të kaluar. Gjatë ceremonisë, në sfond u vendos kënga serbe “Mars na Drini (Marshi drejt Drinit), i njohur si himni i forcave serbe gjatë marshimit drejt qyteteve boshnjake.

Ndjesa mbërriti pas reagimeve nga politikanë dhe opinioni publik boshnjak që e cilësuan këtë një “provokim të rëndë që përdhos kujtimin e viktimave të genocidit serb”.

Megjithatë, pavarësisht ndjesës, mbetet ende e paqartë se si në një organizëm ndërkombëtar i shpëtoi censurës një këngë me përmbajtje të forta nacionaliste serbo-madhe.

Top Channel