Bie kreditimi i ekonomisë

18/01/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se ritmet e kredisë për ekonominë po
thellojnë trendin rënës. Sipas Bankës së Shqipërisë në nëntor rritja
vjetore e kredisë zbriti në 4 për qind, që është minimumi historik për
më shumë se një dekadë.

Por cilat janë arsyet e kësaj tkurrje të fortë? Të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se shumica e bankave në Shqipëri kanë vazhduar të kreditojnë ekonominë, ndonëse me ritme më të ulëta se përpara krizës. Por një grup prej tyre, përkatësisht bankat greke janë duke zbatuar një politikë agresive për të ulur portoflin e kredisë.

Sipas FMN, në vitin 2012, kredia e dhënë nga tre bankat greke, të cilat zënë rreth 18 për qind të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri, u tkurr me 14 për qind krahasuar me një vit më parë. Fondi thotë se ulja është rezultat i një politike për ta mbështetur kreditimin e ekonomisë tek burimet e brendshme.

Deri në vitin 2009 bankat greke kanë qenë më agresivet në kreditimin e ekonomisë, një pjesë e së cilave ka qenë e financuar nga fondet e mëmave të tyre në Greqi.Por pas këtij viti në pamundësi për të marrë financime të reja nga bankat mëma, ato kanë tkurrur kredinë për ta ekuilibruar atë me kursimet që mbledhin nga qytetarët shqiptarë.

Sipas FMN, në bankat e tjera të huaja varësia nga financimet e mëmave ka qenë më e ulët, ndaj Shqipëria nuk u përball me një shtrëngim masiv të kredisë. Shifrat tregojnë se që pas vitit 2009, pothuajse e gjithë kredia për ekonominë është financuar nga depozitat e brendshme, të cilat janë në nivelin më të lartë historik.  

Top Channel