Lëvizja Vetëvendosje zhvendosi në Bruksel protestat e saj kundër bisedimeve me Serbinë. Dhjetra mbështetës të kësaj partie, u mblodhën para ndërtesës ku është zyra e shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Catherine Ashton.

Protestuesit u mblodhën mesditën e së enjtes dhe mbanin në duar pankarta si “Jo negociata pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, “Pa njohjen e Kosovës nga Serbia”, dhe pa faljen e munguar të Beogradit për krimet e kryera në Kosovë.

Protesta u organizua nga qendrat e Vetëvendosjes nëpër Europë dhe në të mori pjesë edhe Afrim Hoti, deputet i kësaj lëvizje në Kuvendin e Kosovës.

Organizatorët i dërguan edhe një letër kryediplomates europiane Ashton, ku i shpjegonin asaj kundërshtimin e tyre ndaj bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Protesta u mbajt në kohën kur pritej takimi Thaçi-Daçiç, i pari për këtë vit në vazhdën e takimeve mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve.

Top Channel