Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën mbështetjen për proçesin e
dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që ndërmjetësohet nga Bashkimi
Europian, duke vlerësuar arritjet dhe marrëveshjet teknike të muajve të
fundit.

Para zhvillimit të takimit të radhës mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç në Bruksel, Reeker, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, i bëri thirrje dy kryeministrave të vijojnë dialogun, për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për veriun dhe çmontimin e strukturave paralele atje.

“Bashkimi Europian ka përcaktuar shumë qartë se çfarë duhet bërë nëpërmjet dialogut për të arritur një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe kjo përfshin një zgjidhje afatgjatë për veriun dhe çmontimin e strukturave paralele”, deklaroi Reeker.

“E gjitha kjo, e nënvizuar në dokumentin tim të preferuar, në përfundimet e Këshillit Europian. Pra, është shumë e qartë çfarë duhet përmbushur dhe proçesi i dialogut është një mënyrë e mirë që kjo të realizohet nga dy vendet”, vijoi ai.

Reeker ftoi kryeministrat Thaçi dhe Daçiç që të shfrytëzojnë në mënyrë efikase muajt e parë të vitit 2013, veçanërisht për çmontimin e strukturave paralele në veri, për të përfituar në kohë vendime pozitive nga ana e BE-së.

Top Channel