Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka kërkuar
kryeministrit Thaçi që kuvendi i PDK-së të mos mbahet pa praninë e
nënkryetarit Fatmir Limaj, duke paralajmëruar për pasoja në rast të
kundërt.

Sipas “RTK”, Krasniqi ia ka dërguar kërkesën Thaçit me shkrim, duke i bërë të qartë se Limaj nuk dëshiron me doemos një post në parti, por vetëm të jetë i lirë të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të saj.

“Arsyeja e kërkesës për shtyrje të kuvendit është se Fatmiri nuk ka mundësi të jetë dhe të bëjë garë për pozitën që ai do. Shtyrja nuk bie ndesh me statutin, përkundrazi, mbajtja bie ndesh me të”, ka thënë Krasniqi një ditë më parë.

Plotësimi ose jo i kërkesës së Krasniqit nga ana e Thaçit do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në fuqinë që do të ketë në të ardhmen Partia Demokratike e Kosovës.

Gazeta “Zëri”, duke cituar burime brenda kësaj partie, shkruan se Krasniqi i ka bërë me dije Thaçit se nëse nuk e merr parasysh kërkesën, atëherë gjasat që ai dhe Limaj të ndahen me PDK-në janë shumë të mëdha.

Top Channel