
Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mërkiç ka deklaruar se Serbia nuk ka në
plan të ndryshojë priotitetet e saj për të ardhmen e vendit.
I cituar nga gazeta “Veçernje Novosti”, Mërkiç ka nënvizuar se Beogradi do të vazhdojë të ndjekë politikën “edhe BE-në edhe Kosovën”.
“Nuk mundemi dhe nuk duam të heqim dorë nga asnjë prej këtyre dy çështjeve. Nëse punojmë mirë dhe kemi qëndrim të mençur politik, atëherë do të ruajmë edhe interesat në Kosovë dhe do të bëhemi një ditë anëtar i BE-së”, ka thënë Mërkiç.
Për momentin BE i ka vendosur Serbisë si kusht për afrimin normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por flitet që në përfundim të negociatave, asaj t’i kërkohet njohja e pavarësisë.
Një gjë e tillë është bërë disa herë e qartë nga Gjermania, ndonëse kohët e fundit ky vend është treguar më i rezervuar për të qetësuar situatën.
Shumë analistë thonë se, nëse Serbia anëtarësohet në BE pa njohur Kosovën, atëherë ajo do të pengojë integrimin e kësaj të fundit duke thënë: Kosova mund të anëtarësohet në BE vetëm si pjesë e Serbisë.
Top Channel