Policia greke rifilloi kthimin pas të familjeve shqiptare të shoqëruara
nga fëmijët e lindur në Greqi. Që prej mëngjesit e deri në orët e
mbrëmjes numërohet të jenë kthyer pas rreth 30 familje me fëmijë,
persona që udhëtonin drejt vendbanimeve të tyre në shtetin grek.

Arsyeja që ju është dhënë lidhet me korrigjimin që duhet bërë prej palës shqiptare në rubrikën e vendlindjes ku kërkohet që të gjitha toponimet të përshkruhen në të dy gjuhët shqip dhe anglisht.

Zyrtarisht konfirmohet se drejtori i Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër Admir Ibrija ka marrë takim me palën greke, ku prej kësaj të fundit i është njoftuar se pasaportat shqiptare të shtetasve të kthyer nuk respektojnë të drejtën ndërkombëtare për toponimet të cilat duhet të shfaqen në dokument edhe në gjuhën angleze.

PS: E papranueshme situata

Nëpërmjet një deklarate për median, Sekretariati i Emigracionit pranë Partisë Socialiste e konsideron si të papranueshme situatën e krijuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku familjet me fëmijë të lindur në Greqi por me pasaporta shqiptare nuk lejohen të hyjnë në territorin grek pasi në pasaportat e tyre shqiptare toponimet e vendlindjes janë të shënuara në shqip dhe jo në greqisht, siç kërkon pala greke.

Pretendimet e Greqisë thuhet në vijim të deklaratës, për shkrimin në greqisht të toponimeve janë konceptualisht të papranueshme por edhe faktikisht të pazbatueshme.

Si një vend sovran, me kombësi e gjuhë të vetën, Shqipërisë nuk mund t’i kërkohet që të shkruajë në pasaportat e shtetasëve të saj në një tjetër gjuhë përveç se shqip.Partia Socialiste kërkon ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve shqiptare, veçanërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për zgjidhjen e kësaj situate e cila po krijon probleme të mëdha për emigrantët shqiptarë në pikat kufitare me Greqinë, duke rikujtuar se situata është përsëritur disa herë prej vitit të kaluar dhe asnjë marrëveshje nuk është arritur për t’i dhënë asaj zgjidhje.
Në fund të deklaratës sekretariati për emigracionin në PS thekson se “në vend të retorikës boshe të nacionalizmit e patriotizmit, qeveria shqiptare duhet t’i kthehet punës dhe të tregojë me vepra përkushtimit ndaj çështjes kombëtare, pjesë e së cilës janë padyshim edhe emigrantët shqiptarë kudo që ata ndodhen”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta