Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës mund të shpallë tender të ri për prodhimin e pasaportave biometrike.

Kjo mund të ndodhë nëse deri më 23 janar të këtij viti Ministria e Brendshme dhe kompania austriake OeSD, e cila prodhon pasaportat biometrike për qytetarët e Kosovës, nuk arrijnë që të zgjidhin disa mosmarreveshje të kontratës.
 
Zyrtarë të MPB-së dhe të kompanisë austriake janë takuar edhe të mërkurën, per të diskutuar disa çështje, ndër të cilat edhe pagesa e TVSH-së për pasaportat e që ka sjellë OeSD përmes doganave të Kosovës, obligim i cili nuk është kryer ende nga austriakët.
 
Bëhet fjalë për dërgesën e fundit, një kontigjent prej rreth 70 mijë pasaportash biometrike për të cilët nuk është e deklaruar TVSH-ja. Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit për informim në MPB, Behar Haziraj, MPB paguan vetëm për ato që janë të tatuara dhe që e kanë të paguar TVSH-në.
 
Fillimisht Ministria e Brendshme, u kishte dhënë një afat që deri këtë të enjte t’i dërgojnë me shkrim propozimet e tyre dhe në bazë të tyre do të vendosin a do të shkojnë me vazhdim të kontratës apo të ndërpritet dhe të hapet rruga për një tender të ri për pasaportat biometrike.
 
Por, përfaqësues të kompanisë austriake, OeSD kërkuan nga MPB që negociatat për zgjedhjen e kontesteve të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike të shtyhen edhe për 15 ditë, meqenëse kanë nevojë të konsultohem me ekspertë të Bashkimit Europian.
 
Komisioni përkatës i MPB-së, ka vendosur që ta pranojë pjesërisht këtë kërkesë, që negociatat të shtyhen edhe për 7 ditë, pra deri më 23 janar të këtij viti.

Top Channel