Kosova do të mundohet të përfitojë nga përvojat e Shqipërisë dhe të shteteve të tjera nga rajoni, në proçesin e liberalizimit të vizave.
Kjo ka qenë arsyeja, që kryetari i Komisionit për Integrimin Europian në Kuvendin e Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka ardhur në Prishtinë ku, gjatë së enjtes, Ministria e Integrimit Europian në Kosovë, mbajti takim me kryetarët e komunave të Kosovës.
Bushati foli para tyre se çfarë duhet të bëjë Kosova, që të arrijë sa më shpejt të bëhet pjesë e vendeve, qytetarët e të cilëve udhëtojnë pa viza nëpër Europë.
“Ajo çfarë Kosova duhet të bëjë dhe duhet të ketë shumë mirë parasysh janë tri shtylla… Së pari, vizioni; pra kërkohet një vizion i qartë politik për mënyrën se si do të shkojë Kosova drejt Bashkimit Europian. Së dyti, çfarë vullneti politik do të ketë për ta jetësuar vizionin politik të Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Së treti, çështja e burimeve njerëzore apo kapaciteteve njerëzore, që janë të domosdoshme në këtë proçes”, u shpreh Ditmir Bushati.
Në anën tjetër, zëvëndësministri i Kosovës për Integrimin Europian, Gëzim Kasapolli, tha se viti 2013 do të jetë vit i sfidave në proçesin e integrimit europian.
“Mbeten sfida shumë të mëdha para nesh, në proçesin e integrimit europian, duke pasur parasysh se këtë vit do të fillojmë proçesin më të rëndësishëm, atë të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me synimin për të filluar marrëdhëniet kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Europian”, tha Gëzim Kasapolli.
Kasapolli ka thënë se mbeten sfida të mëdha në proçesin e integrimit europian, proçes ky që, sipas tij, është proçes i qeverisjes së mirë dhe i zhvillimit të politikave e legjislaturës në harmoni me standardet europiane.
Top Channel