
Kosova shumë shpejt mund të ketë kodin e vetë telefonik, +383 ose +384.
Kjo alternativë po shihet si më e mundshmja nga institucionet
përgjegjëse në fushën e telekomunikacionit.
Sponsorizues do të jetë Bashkimi Evropian dhe kjo mundësi shihet si zgjidhje e përkohshme deri në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në një intervistë për gazetën “Express”, shefi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha ka thënë se ideja e një kodi të përbashkët me Shqipërinë nuk është zgjidhja ideale.
“Vullneti i Kuvendit nënkuptohet që i ka detyrimet e veta dhe kodi me Shqipërinë është njeri prej skenarëve. Por ekonomikisht, teknikisht dhe ligjërisht, si dy shtete në të ardhmen tonë të projektuar, kjo nuk është zgjidhja ideale”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, opsioni më i mundshëm mbetet ai përmes ITU-së, ku sponsorizues do të ishte Bashkimi Europian. Deri në anëtarësimin e Kosovës si anëtare e OKB-së ekziston mundësia që ITU të ndajë kode të përkohshme.
“Bashkimi Evropian do ta lehtësojë proçesin e aplikimit të Kosovës në qoftë se shkohet me skenarin e marrjes se prefiksit +383 ose +384, që janë kode të lira në ITU. Kjo është kërkesa jonë dhe po punohet në këtë drejtim”, ka thënë Hoxha.
Dialogu me Serbinë në fushën e telekomunikacionit sipas tij nuk ka të bëjë fare me çështjen e kodit. “Për kodin nuk dialogohet me Serbinë, sepse Serbia nuk është autoritet që e ka atë të drejtë. Këtë autoritet e ka vetëm ITU-ja, e cila është mekanizëm i Kombeve të Bashkuara”, ka thënë zyrtari.
Megjithatë, Hoxha është shprehur i vetëdijshëm se Serbia mund të bëhet pengesë në ketë proçes, për faktin se Kosova duhet të sigurojë dy të tretat në asamblenë e OKB-së për të fituar statusin e vendit vëzhgues, sikurse bëri Autoriteti Palestinez.
Top Channel