Deputetët grekë duhet të votojnë për të vendosur nëse do të hetojnë një ish-ministër, i dyshuar për shpërdorim të fondeve publike dhe evazion fiskal.

Sipas mediave vendase, duket se ekziston një marrëveshje midis tre partive kryesore të koalicionit qeverisës, për nisjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Financave, George Papaconstantinou.

Votimi do të realizohet në seancën e radhës të Parlamentit Helen dhe nëse heqja e imunitetit do të aprovohet, do të nisë një hetim parlamentar, njëkohësisht i ndjekur nga një hetim nga ana e prokurorisë.

Dyshohet se Papaconstantinou, duke përdorur influencën e tij hoqi të afërmit dhe miqtë nga një listë e hetimeve mbi të dyshuarit për mashtrim dhe evazion fiskal.

Megjithatë, partitë opozitare në Greqi duan që në Kuvend të miratohet edhe aprovimi i hetimeve për dy ish-kryeministra si dhe kryetarin e Partisë Socialiste Greke (PASOK), Evangelos Venizelos.

Skandali, i cili ka pasur një mbulim të gjerë mediatik në Greqi, lidhet me një listë të dyshuarish që ish-ministrja franceze e Financave, Christiane Legarde, i dërgoi autoriteteve greke në 2010-n.

Kryetarja aktuale e FMN-së, përfshinte në atë listë mbi dy mijë emra të shtetasve grekë, të cilët kishin llogari të majme në bankat zvicerane dhe dyshohej se kishin fshehur pasurinë e tyre nga shteti, për të mos paguar taksat në vend.

Megjithatë, “PASOK”-u atëherë në pushtet nuk mori asnjë masë për të zbardhur skandalin dhe kur mediat u informuan për ekzistencën e këtij dokumenti, u pretendua se kjo listë kishte humbur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA