Gjergj Ndreca: Ju tregoj arratisjen në Suedi

17/01/2013 00:00

Gjergj Ndreca, ish i përndjekuri politik që u vetëdogj me benzinë në
kohën e grevës së urisë në tetor të vitit të kaluar, ka nisur aplikimet
për përfitimin e statusit të azilantit në shtetin suedez.

Beson se ky shtet, nuk do ia mohojë kërkesën për azil, pasi disponon dokumente dhe fakte të pakundërshtueshëm që ai dhe familja e tij janë të përndjekur politikisht në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip” nga Suedia, Ndreca thotë se rrugëtimi nga Shqipëria drejt Skandinavisë ka qenë një sfidë më vete, pasi pretendon se është përndjekur nga agjentët e policisë shqiptare deri në Kroaci.

Ai është nisur mbrëmjen e Vitit të Ri dhe nuk i ka thënë kujt për largimin e tij nga Shqipëria. I është trembur faktit se qeveria shqiptare do ta ndalonte, që të riniste një jetë të re në Suedi. Ndihet më i qetë dhe i sigurt, larg përndjekjes policore dhe qeveritare.

Thotë se familja e tij, që pas daljes nga greva, po përjetonte presion psikologjik. Në numrin e tij të telefonit vinin telefonata anonime dhe e kërcënonin në format nga më të ndryshmet. “Problemi më i madh, ishte kur agjentët e policisë ndiqnin djalin e vogël. E ndalonin rrugës, e pyesnin se djali i kujt ishte dhe se ku e kishte shtëpinë. Kjo bëhej që ta trembnin djalin dhe ai dolën. Kishte frikë që të shkonte në shkollë, të dilte nga shtëpia. Ishte bërë me hije. Po survejoheshim nga policia me 3 turne. Na ishin instaluar policët tek dera e shtëpisë dhe s’na linin që të jetonim të qetë. Edhe kur erdhëm në Suedi, nuk na u ndanë” tregon Gjergj Ndreca, në një lidhje telefonike nga Suedia.

Familja e Ndrecës është nisur mbrëmjen e 31 dhjetorit, me një automjet privat. Ka dalë nga dogana e Hanit të Hotit, në Shkodër dhe rrugëtimin nga Shqipëria drejt Suedisë, e ka përshkuar me makinë, duke thënë se ka dalë nga kufiri si ilegal, i maskuar me kapuç në kokë. Nuk ka dashur që të udhëtojë me avion, sepse nuk ka pasur garanci për arritjen me sukses në Skandinavi. Por, deri në Kroaci, thotë se është përndjekur nga agjentët e policisë shqiptare. “Ka qenë e frikshme përndjekja. Kisha me vete familjen time dhe nuk dihej se çfarë mund të më ndodhte gjatë rrugës. Fatmirësisht arritëm që t’u fshiheshim, sepse devijuam rrugën. Në Milano erdhën dhe më morën njerëzit e mi. Kaluam nga Italia në Gjermani, Danimarkë dhe më pas në Stokholm” shprehet Ndreca.

Ku je strehuar tani?

Aktualisht ndodhem në një spital të Stokholmit, sepse i kam plagët shumë të acaruara. Nuk kam dashur që të shkojë në spital, për t’i mjekuar, sepse nuk kam pasur garanci. Për më tepër, ato janë provokuar edhe prej të ftohtit. Ndodhem me bashkëshorten këtu. Fëmijët i kam në Gjermani tek njerëzit e mi. Sa të dal prej spitalit, do t’i marr në Suedi.

Ke shpresë që do përfitosh azil politik?

Në 7 shkurt kam datën e intervistën. Kam shumë besim se do ta përfitoj, sepse disponoj dokumente dhe fakte, që unë jam i përndjekur dhe jeta ime është vënë në rrezik në atdheun tim. Berisha është person që vret njerëz dhe unë këtë e di mirë. Si pasojë e kësaj vendosa që të largohesha, sepse përndjekja ishte bërë e padurueshme.

Do kthehesh më në Shqipëri?

Sapo të marr dokumentet do të vij menjëherë në Shqipëri, për të rrezuar Sali Berishën nga pushteti. Do bëj të pamundurën që të marr edhe bashkëvuajtësit e mi në Suedi. Ata nuk janë të sigurt në Shqipëri. Berisha të mos pretendojë se më ka mbyllur gojën mua, sepse nuk ia ka dalë ende.

Gazeta “Shqip”

Top Channel