Veriu i Kosovës pritet të jetë tema kryesore e takimit të katërt Thaçi-Daçiç në Bruksel, me ndërmjetësimin e Catherine Ashton.
BE dhe SHBA presin gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë të situatës në këtë pjesë të Kosovës, për të cilën Serbia kërkon autonomi territoriale, ndërsa Kosova ofron vetëm mundësinë e legalizimit të strukturave serbe në veri, me kusht përfshirjen e tyre në sistemin e vendit.
Tema të tjera diskutimi janë edhe çështjet e negociuara javën e kaluar dhe në fillim të kësaj jave nga grupet teknike, për telekomin, energjinë dhe nivelin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të pikave të kalimit.
Ndërkohë në Bruksel, një grup Aktivistësh të Lëvizjes “Vetëvendosje” nga Belgjika, Gjermania, Zvicra dhe Luksemburgu, zhvilluan një protestë simbolike pranë ndërtesës së shërbimit të jashtëm evropian ku zhvillohen takimet mes dy kryeministrave.
Protestuesit kundër zhvillimit të këtij dialogu vlerësojnë se ai ndihmon Beogradin, dëmton sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial shtetëror.
Top Channel