Biznesi: Jo rritje taksash

17/01/2013 00:00

Biznesi kundërshton opsionin e rritjes së taksave, duke u shprehur se
një veprim i tillë në kushtet e krizës do të kishte pasoja shkatërruese
për ekonominë.

“Në momentet e krizës, orientimi i ekonomisë dhe i sipërmarrjes private duhet të bëhet drejt rritjes ekonomike, pra drejt faktorëve që çojnë në rritjen ekonomike. Nuk janë taksat që çojnë në rritjen ekonomike, është rritja ekonomike që mund të çojë nesër në një taksë të lartë”, thotë Luan Bregasi, nga Biznes Albania.

Alban Zusi, i cili drejton Qendrën e Klasterave të Biznesit thotë se paratë prodhojnë më shumë mirëqënie dhe punësim kur janë në duart e privatëve, se sa kur administrohen nga burokratët në zyrat e shtetit.

“Një investim i biznesit shihet gjithmonë me syrin për t’u rikthyer në harkun e dy-tre viteve. E shumta, bizneset e mëdha për investime të mëdha mund të shkojnë deri në 7 vite, ndërkohë që investimet publike minimumi fillojnë të rikthehen në efektivitetin e tyre ekonomik, në leverdisshmërinë e tyre ekonomike në 17 vite, dhjetë vite më tepër”, thotë Zusi.

Debati për barrën fiskale u rikthye në publik, pasi pak ditë më parë FMN-ja i rekomandoi zyrtarisht Qeverisë të rrisë taksat për të ndalur rritjen e borxhit dhe mbështetur ekonominë me investime. Por sipërmarrësit thonë se kjo nuk është rruga e vetme, por ka edhe zgjidhje të tjera më efiçente, njëra prej të cilave është menaxhimi më i mirë i financave publike.

“Të ardhurat për të rritur pastaj mundësinë e investimeve, mund të jetë mirë më mirë rruga e administrimit të taksave, që do të thotë të rritet performanca e administratës shtetërore, për të siguruar një shpërndarje më të mirë të ngarkesës fiskale dhe një administrim më të mirë të mbledhjes së këtij niveli taksash që kemi sot”, thotë Bregasi.

Një mirëmenaxhim që nuk përfshin vetëm mbledhjen e taksave, por edhe riorientimin e shpenzimeve që bën Qeveria, struktura e të cilave sipas biznesit nuk po e ndihmon ekonominë.

“Në një vepër instrastrukturore punësohen 50, 100, 200 njerëz, ndërkohë që me aq para të investuara në sektorë të tjerë, siç mund të jetë bujqësia, siç mund të jetë artizanati, siç mund të jenë prodhimi i lëndëve të para, i lëndëve të ndërtimit, përveçse do të gjeneronin edhe po aq vlerë investime nga biznesi, përmes skemës së bashkëfinancimit të projekteve dhe të vendeve punës, por ka shumë gjasa që këto para të na ngelen brenda vendit. ka shumë gjasa që këto para të hapin 10-fishin e vendeve të punës”, thotë Zusi.

Që nga viti 2009, financat e Qeverisë kanë ardhur duke u përkeqësuar. Në fund të vitit të kaluar borxhi publik arriti në 61.9 për qind, ndërkohë që nën presionin e krizës qeveria është shndërruar në debitoren më problematike në vend me 200 milionë euro borxhe të papagauara ndaj biznesit.  

Top Channel