
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbledhur të mërkurën në mesditë kabinetin qeveritar, vetëm pak orë para se të udhëtojë për në Bruksel ku do të takohet me kryeministrin serb Ivica Daçiç, me të cilin do të bisedojë me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton.
Statusi politik, tërësia territoriale dhe rregullimi i brendshëm i Kosovvës janë çështje të përfunduara, ka thënë Thaçi, i cili ka përsëritur se në këtë takim do të respektohet Kushtetuta e Kosovës, Plani i Ahtisarit dhe Rezoluta e Kuvendit për zhvillimin e këtij dialogu.
“Ne do të respektojmë në tërësi propozimin e Ahtisarit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në asnjë mënyrë nuk do të bisedojmë për statusin e Kosovës, për tërësinë territoriale dhe për organizimin e brendshëm të vendit”, ka deklaruar Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka thënë se synimi i qeverisë është që shumë shpejt të shuhen strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veriun e Kosovës dhe integrimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës përmes zgjedhjeve.
Po ashtu, Thaçi ka nënvizuar se edhe gjatë takimit me bashkësinë ndërkombëtare paraditen e së mërkurës, është theksuar që nuk duhet të lejohet asnjë veprim aventurier i Serbisë.
“Gjithashtu, e kemi theksuar edhe në takimin që sot kemi pasur me bashkësinë ndërkombëtare, se nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë ndonjë veprim aventurier i qeverisë së Serbisë, që mund të përcillet me kosto për proçesin e gjithmbarshëm. Prandaj do të ishte shumë me interes për veprime të matura, mirëkuptuese, dialoguese dhe paqësore dhe kam besim që kjo edhe do të ndodhë”, ka thënë Thaçi.
Duke folur për situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës, pas paralajmërimëve të zyrtarëve të Beogradit se do ta heqin me forcë lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, kryeministri Thaçi ka theksuar se duhet të evitohen situatat që nuk janë në interesin e askujt, përmes një proçesi bisedimesh.
Kreu i qeverisë ka shprehur besimin e plotë, se liderët politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc do ta tejkalojnë me urtësi këtë situatë.
Top Channel