Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se mundësia që Kosova të ketë vendin e saj në OKB është e papranueshme për Serbinë.

Në një takim me korrespondentët e mediave ndërkombëtare të akredituar në Beograd, Nikoliç ka thënë se, Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë dhe për rrjedhojë “shteti i vetëshpallur” nuk do të jetë kurrë një vend anëtar i OKB-së.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB për Serbinë është i papranueshëm dhe është e pamundur të supozohet që Serbia një ditë të heqë dorë nga një pjesë e madhe e territorit të saj dhe të thotë: Kosova mund të bëhet anëtare e OKB-së”, ka thënë Nikoliç.

Ai është shprehur kundër deklaratës së kryeministrit Ivica Daçiç, i cili tha një ditë më parë se Beogradi mund të bisedojë edhe për ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nëse kryeministri ka menduar se në kushte të caktuara kjo është e mundur, atëherë unë me këtë nuk pajtohem. Pres reagimin e vetë Daçiç për këtë deklaratë”, ka deklaruar presidenti serb.

Ai ka vënë në dukje se, me anë të platformës për Kosovën, Serbia është pajtuar me faktin se në këtë pjesë të territorit të saj pushteti serb nuk ka më kurrfarë ndikimi.

“Ajo platformë tregon edhe realitetin shqiptar. Çfarë mund të propozonte tjetër Serbia? Çfarë kërkojnë tjetër shqiptarët? Nuk ka çfarë kërkohet tjetër veç pavarësisë”, ka thënë Nikoliç, për të shtuar se:

“Në vite e në shekuj, Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe askush nuk mund ta detyrojë ta bëjë këtë”.

Përsa i përket veriut të Kosovës, presidenti serb ka nënvizuar se Beogradi do të veprojë sipas interesave të veta, pasi qeveria kujdeset për interesat e qytetarëve në të gjitha pjesët e territorit.

Top Channel