Media e kërcënuar nga politika

16/01/2013 00:00

A është e lirë media shqiptare dhe cilët janë faktorët që sot po dëmtojnë rëndë cilësinë dhe porfesionalizmin e saj? Përfaqësues të qeverisë, ekspertë të Bashkimit Europian, deputetë dhe përfaqësues të mediave më të mëdha në vend janë mbledhur në një tryezë të përbashkët, ku kanë nxjerrë në pah të gjitha problemet që sot po brejnë median shqiptare.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi tha se liria e medias është shumë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë, ashtu siç ka rëndësi mbajtja e zgjedhjeve të lira apo edhe e drejta e pronës.

“Liria e medias ka shumë rëndësi për lirinë e vendit, ashtu si zgjedhjet e lira. Na duhet media e lirë, jo vetëm fjala e lirë. Duhet një veprim konkret që të tregojë se ju jeni seriozë për këtë. Liria e medias është e rëndësishme për standartet e Shqipërisë. Është në duart tuaja testimi i angazhimit për financimin e reklamave shtetërore. Ju duhet të jeni agjentët kryesorë të medias”, deklaroi Sequi.

Presioni politik, por edhe ai ekonomik, i cili shprehet në forma nga më të ndryshmet dhe është zbuluar së fundmi edhe përmes shpërndarjes së miliona dollarëve të reklamës qeveritare drejt mediave pranë qeverisë, ka qenë një ndër çështjet e debatuara të kësaj konference.

“Të gjithë këtu e mbështesim idenë se qeveria duhet të jetë kujdestare e shtetit. Aktualisht tregu ndihet i pakënaqur me qeverisjen, sepse ajo tregohet jo e paanshme dhe selektive në përdorimin e financave publike”, deklaroi anëtari i komisionit të medias, Alfred Dalipi.

Kryetarja e KKRT-së Endira Bushati tha se aktualisht nuk ka një matje të audiencës dhe kjo ndikon edhe në shpërndarjen e reklamës.

“Janë të pakëta kompetencat e KKRT-së për të kontrolluar çështjen e reklamave. Ekziston detyra e subjekteve që të depozitojnë bilancet vjetore në KKRT, përveçse tek Tatimet. Ligji i vitit 2007 përcakton se asnjë subjekt nuk duhet të ketë mbi 30 për qind të tregut të reklamave. Por kjo, me kompetencat që ka KKRT, është e pamundur të verifikohet, kur edhe subjektet nuk na japin të dhënat. Përsa i përket situatës financiare, në përgjithësi ligji nuk parashikon një sanksion që mund të aplikojë KKRT kur nuk bëhet dorëzimi i bilanceve”, deklaroi Bushati.

Eve Solomon, eksperte e medias dhe e çështjeve rregullatore, tha se financimi nuk duhet të ndikohet nga politika dhe kërkoi zbatimin e standarteve.

“Secili vend duhet të gjejë zgjidhjet e veta për KKRT-në dhe mbikëqyrjen. Proçesi duhet të jetë transparent për të përcaktuar se kush merr vendimet. Duhen standarte të larta të kompetencave. Të lidhurit me politikën duhet të përjashtohet. Duhet të ketë kredibilitet tek qytetari dhe tek politika, por kjo në Shqipëri për fat të keq mungon”, nënvizoi Solomon.

“KKRT duhet të ndërhyjë për çështjen e reklamës. Një nga direktivat e BE-së lidhet pikërisht me KKRT-në, që duhet të jetë e pavarur dhe transparente. Pavarësia e entit është e domosdoshme”, u shpreh më pas Malforzata Koëallzik, hartuese politikash.

Ndërsa ka pranuar se mund të ketë patur edhe gabime, ministri Genc Pollo ka deklaruar se janë bërë përmirësime ligjore, por se mirëpret edhe propozime.

“Lidhur me çështjen e reklamës shteterore mbetemi me parimin se agjencitë shtetërore që përcaktojnë njoftimin tek mediat duhet të jenë jopolitike. Qeveria ka miratuar një vendim për të rregulluar këtë marrëdhënie. Në dhjetor të vitit 2012, Kuvendi amendoi ligjin për prokurimet publike duke miratuar direktivat evropiane. Ne do mirëpresim çdo këshillë e asistencë për përmirësim”, deklaroi Pollo.

Kryetarja e komisionit parlamentar të medias, Valentina Leskaj ka renditur të gjitha problemet me të cilat përballet media në Shqipëri, duke nisur nga njëanshmëria e KKRT-së, mënyra klienteliste e shpërndarjes së reklamave dhe vendosja e gjobave në mënyrë selektive.

“Proçesi klientelist i liçensimit nuk jep mundësi konkrete e të ndershme në treg. KKRT ka pranuar dështimin për mbrojtjen e të drejtave të autorëve, që është një direktivë e BE, ndërkohë që raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit shprehu shqetësime të mëdha për reklamën shtetërore. Financimet publike përdoren nga politika për interesat e ditës. Vendoset kundër mediave që nuk bien pre e linjës së pushtetit”, deklaroi Leskaj.

Ndërsa Remzi Lani është ndalur në problemin e madh që po has media dhe gazetaria shqiptare vitet e fundit. “Media, sipas disa sondazheve, është institucioni më i besuar nga publiku për luftën kundër korrupsionit. Ne kemi një sektor televizionesh komerciale të avancuar, por nga ana tjetër kemi një televizion publik larg standarteve. Ky institucion ka kaluar nga monopoli i komunizmit tek monopoli privat”, denoncoi Lani.

“Në dhjetor 2011 në 92 për qind të mediave ishte përsëritur mungesa mujore e pagave të punonjësve, që preknin kryesisht ata të redaksive. Rrogat vonoheshin deri 6 muaj. Ndërsa në dhjetor 2012, përqindja shkoi në 95 përqind”, theksoi më pas gazetari Aleksandër Çipa.

Ekspertët e medias dhe deputetët kanë folur edhe për projektligjin e ri për mediat audiovizive, i cili është shumë i rëndësishëm për rregullimin e tregut mediatik dhe strukturave përgjegjëse për liçensimin dhe monitorimin e saj.

Ekspertët, si ata të huaj edhe vendas, janë shprehur se nevojitet një ligj që të garantojë pavaresinë e mediave, jo goditjen apo favorizimin selektiv dhe në mënyrë të veçantë, përballë proklamimeve të qeverisë për hartimin e ligjeve me standarte europiane, ata theksuan se nevojitet që ligji jo vetëm të miratohet, por çfarë është më e rëndësishmja ai të zbatohet. “Njësoj për të gjithë!”.

Top Channel