Gjirokastër, policia sekuestron municione

16/01/2013 09:00

Policia e Gjirokastrës po kryen operacione në të gjithë akset nacionale për më shumë siguri.

Forcat e rendit vijonjnë kontrollet në disa zona për kapjen e armëve dhe municioneve pas ngjarjes së ditës së hënë, kur një autobus pasagjerësh i linjës Sarandë-Tiranë u sulmua nga persona të armatosur të cilët kishin si qëllim grabitjen e pasagjerëve.

Deri më tani, Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 148 fishekë pistolete dhe 520 fishekë kallashnikovi.

Autobusi i linjës Sarandë-Tiranë është sulmuar minutat e para të së hënës me kallashnikov në dalje të Tepelenës nga dy persona të maskuar. Autobusi ishte nisur nga Saranda në orën 10 të mbrëmjes të së dielës dhe në momentin e ngjarjes së rëndë brenda tij po udhëtonin 18 pasagjerë.

Grabitësit kanë shtënë fillimisht në ajër për të detyruar shoferin të ndalojë dhe menjëherë më pas në drejtim të mjetit. Një plumb ka përshkuar xhamin e kabinës së shoferit, ndërsa pasagjerët, shumica e të cilëve ishin në gjumë, i ka përfshirë menjëherë paniku.

Drejtuesi i mjetit Sokol Bërxhaj thotë se ka hapur menjëherë dyert e autobusit dhe pas kërcënimit të grabitësve ka mbledhur menjëherë lekët duke plotësuar kërkesën e tyre: “Ngrita duart lart, dola nga autobusi dhe më thanë që donin lekë. U mblodha lekët pasagjerëve, rreth 300 mijë lekë (të vjetra) dhe pasi i morën, ata ikën.”

Autobusi ka lëvizur menjëherë më pas nga vendngjarja sipas drejtuesit të mjetit dhe ndihmësit të tij për tu larguar sa më shpejt nga grabitësit, nga frika e ndonjë sulmi të dytë. Dy persona, pasagjerë të autobusit, kanë dalë nga dera e pasme e autobusit në momentin e konfrontimit dhe janë larguar për tu fshehur në errësirë.

Vetëm pas rreth 30 minutash njëri prej pasagjerëve në autobus ka njoftuar policinë, ndërsa mjeti  u ndal në fshatin Iliras, rreth 13 kilometra më tutje për të pritur grupin hetimor. Prokuroia nxorri urdhëra kontrolli për 14 banesa të personave të dyshuar dhe ka arritur të arrestojë autorët në banesën e tyre në fshatin Mamaj, në Tepelenë. Vëllezërit Babush e Melsen Ruçi, përkatësisht 32 e 25 vjeç. Ata akuzohen për një seri vjedhjesh në njësi private dhe banesa gjatë kësaj periudhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA