Gjermani, mohoi Holokaustin, dënohet kleriku

16/01/2013 21:15

Një gjykatë gjermane në qytetin e Regensburgut gjobiti një prift anglikan që tha se Holokausti nuk kishte ekzistuar kurrë, në një çështje tepër të ndjeshme gjyqësore në vend.

Agjensia Gjermane e Lajmeve “DPA” raportoi se Richard Williamson nuk u paraqit në gjyqin në të cilin u shpall fajtor dhe u dënua me 1 800 euro gjobë.

Peshkopi 72-vjeçar, i dalluar për pikëpamjet e tij ultrakonservative, deklaroi në një intervistë për një televizion suedez se nuk gjente asnjë provë për të mbështetur bindjen se gjatë regjimit nazist, gjermanët mbytën me miliona hebrenj dhe shtetas të vendeve të tjera në dhomat e gazit.

Sipas tij, nuk ka pasur kurrë dhoma gazi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ato u ndërtuan nga propaganda më pas, prandaj Holokausti nuk ka ekzistuar kurrë.

Në Gjermani, mohimi i Holokaustit përbën një kundërvajtje penale, e ndëshkueshme me gjobë, deri në gjashtë muaj burgim.

Gjatë Holokaustit, gjashtë milionë hebrenj, me banim në Gjermani dhe vendet e tjera të pushtuara nga nazistët u ekzekutuan, ndikuar nga doktrina e racore e shndërruar në “modus vivendi” të shtetit gjerman të drejtuar nga Adolf Hitleri (1933-45).

Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që nuk i dorëzoi hebrenjtë me banim në vend dhe pas Luftës së Dytë Botërore, i vetmi vend në kontinent që kishte regjistruar një rritje të numrit të popullsisë me kombësi izraelite në vitet 1939-45.

Çështja ndaj peshkopit anglikan kishte një rëndësi të veçantë, pasi zoti Williamson është shndërruar në një prej kontenstuesve më të mëdhenj në botë të Holokaustit, nëpërmjet një seri intervistash, publikimesh dhe dokumentaresh polemizues që ai ka realizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA