
Banka e Shqipërisë raportoi se vlerësimet e sektorit privat për
ekonominë kane qenë më optimiste në tremujorin e katërt të vitit, duke
përmbysur kështu tendencën negative që vazhdonte për disa tremujorë me
radhë.
Sipas Bankës, treguesi i ndjesisë ekonomike, i cili tenton të masë perceptimin e biznesit dhe individëve mbi gjendjen e ekonomisë u përmirësua me 6.5 pikë përqindje në periudhën tetor dhjetor 2012. Në vrojtim Banka thotë se përmbysja e tendencës ka ardhur nga pritshmëritë më pozitive të biznesit, ndërsa konsumatorët janë shfaqur më pesimistë.
Rritja e optimizmit të biznesit ka qenë e fortë veçanërisht në sektorin e shërbimeve. Treguesi i besimit në këtë sektor u përmirësua me 9.7 pikë përqindje, ndërsa në industri ky tregues u rrit me 1.2 për qind, kryesisht si pasoje e rritjes se kerkeses se brendshme dhe asaj per eksport.
Ndërkohë, në sektorin e ndërtimit kriza vijon të injektojë pesimizëm. Sipas Bankës treguesi i besimit në ndërtim u përkeqësua me 5.6 për qind edhe në tremujorin e katërt duke arritur një tjetër minimum historik, tashmë 34 pikë përqindje poshtë mesatares afatgjatë.
Për konsumatorët treguesi i besimit ra me 3.2 për qind, si pasojë e vlerësimeve të tyre me negative për situatën financiare dhe ecurinë e ekonomisë, ndonëse në tërësi niveli i optimizmit të individëve vijon të mbetet rreth mesatares së tij disavjecare. Megjithatë edhe me këtë përmirësim në total të ndjesisë së sektorit privat mbi gjendjen e ekonomisë, sërish ky tregues vijon të mbetet në nivelet më të dobëta historike, rreth 17.2 për qind më i ulët se mesatarja e dhjetë viteve të fundit.
Top Channel