Agim Çeku, aktualisht minisëtr i FSK-së dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate, do t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmin e bën të ditur portali Koha.net, që i referohet burimeve konfidenciale, sipas të cilave ky vendim i Çekut do të bëhet publik sapo ai të japë dorëheqjen nga lidershipi i PSD-së.

Kjo parti, e cila së bashku me AKR-në e Behgjet Pacollit u bë pjesë e koalicionit qeverisës, do të zgjedhë brenda javës kryetarin e ri të saj.

Ndoshta synimi i vërtetë i Çekut është që pas largimit të Thaçit të marrë drejtimin e PDK-së dhe të kandidojë për postin e kryeministrit.

Vetë Thaçi deklaroi pak kohë më parë se në zgjedhjet e vitit 2013 nuk do të garojë për drejtimin e qeverisë për herë të tretë, ndonëse u shpreh i bindur për fitoren e PDK-së.

“Një gjë është e sigurt, PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër”, tha Thaçi në fund të vitit të kaluar.

Top Channel