
Qeveria e Kosovës vazhdon me stilin e vjetër që, kur vjen puna te buxheti i shtetit, një pjesë të mirë të të hollave t’i përdorë për shpenzime, që ekskluzivisht i dedikohen luksit individual dhe klanor të vetë zyrtarëve qeveritar.
Ky është vlerësimi i Lëvizjes Vetëvendosje i paraqitur në një konferencë për media të hënën. Vetëvendosje akuzon qeverinë e Kosovës se ka ndërtuar buxhetin pa i ditur prioritetet.
Drejtuesi i Komitetit për Ekonomi, Besnik Bislimi, kujtoi se qeveritë e përgjegjshme, si rregull, përpiqen të mbajnë një proporcion të qëndrueshëm mes shpenzimeve për mallra e shërbime, në njërën anë, dhe shpenzimeve kapitale apo edhe atyre të përgjithshme buxhetore, në anën tjetër. Por, kjo sipas tij, në rastin e Kosovës nuk po ndodh.
Vetëvendosje thekson se qeveria, për të tretin vit radhazi, alokon mbi 40 përqind të mjeteve për investime në një projekt të vetëm, atë të rrugës drejt Shqipërisë. Ndërkaq, pjesa e mbetur e shpenzimeve kapitale përdoret sërish për ngritjen e luksit të qeveritarëve apo kanalizohen drejt zonave nga vijnë vendimmarrësit. Edhe këtë vit, kategoria e vetme e shpenzimeve kapitale, që figuron pothuajse te secila ministri apo agjenci shpenzuese, janë blerjet e automjeteve.
Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, u ndal te zhvillimi ekonomik, si një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Kosovës. Por, sipas tij, buxheti i ndarë për dy dikasteret, Ministrinë e Bujqësisë dhe Tregtisë, të cilat ndihmojnë në zhvillimin ekonomik, flasin për diçka krejt ndryshe.
Vetëvendosje ka vërejtje edhe në ndarjen buxhetore, që i është bërë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Sipas Dardan Sejdiut, qeveria ka rritur vetëm me 500 mijë euro buxhetin e institucionit kryesor gjyqësor, ndërsa ka ulur me 1 milion euro buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
Dhe, për të ilustruar mungesën e seriozitetit në ndërtimin e buxhetit të shtetit, Vetëvendosje publikoi versionin anglisht të buxhetit, i cili është shkruar nga dikush, që nuk di mirë anglisht dhe me plot gabime.
Top Channel