Tiranë, FRESSH feston 21-vjetorin

15/01/2013 17:10

Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë ka festuar pasditen e së martës në Tiranë 21-vjetorin e themelimit të tij. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vlerësuar zhvillimin e kësaj organizate, e cila sipas tij do të luajë një rol thelbësor në fitoren që sipas tij PS do të arrijë në zgjedhjet e ardhshme.

“FRESSH e ka kryer misionin, faleminderit të gjithëve. Ishin vajza dhe djem që u bashkuan dhe e rilindën FRESSH-in. Faleminderit edhe më të rriturve, që i dhanë një dorë kësaj rilindjeje”, ka deklaruar Rama.

“Unë sot jam edhe më i bindur se një vit më parë se së bashku jo vetëm do fitojmë, por me fitoren ne do rilindim Shqipërinë”, ka vijuar ai.

Lideri i opozitës ka theksuar se, rilindja që do të sjellë Partia Socialiste është ajo rilindje që do të sjellë liri, që sot sipas tij mungon përditë e më shumë.

“Do sjellim lirinë që u mungon studentëve, mësuesve, prindërve, shoqërisë e individit. Lirinë që i mungon konkurrencës për një degë studimi, për një bursë në universitet, apo për një biznes. Rilindja jonë do sjellë fundin e mungesës së lirisë së zgjedhjeve. Do sjellim siguri për njeriun, pronën, shëndetin dhe atdheun”, ka nënvizuar Rama.

Një tjetër pikë e prekur prej tij ka qenë taksa progresiste, e cila sipas tij do të sjellë vendosjen e drejtësisë për shtresat e ndryshme të shoqërisë.

“Ne do të qeverisim me drejtësi. Qeveritarët do të paguajnë më shumë taksa se sot, ndërsa mësuesit, mjekët e policët më pak. Kryeministri do të jetë taksapaguesi më i madh në sektorin publik”, ka shtuar Rama.

Një pjesëmarrje e veçantë ka qenë ajo e aktorit të spektaklit “Portokalli”, Flori, i cili ka imituar personazhin që nxjerr më mirë, kryetarin e PS Edi Rama, të cilit i ka dhuruar edhe një portokall.

“Unë nuk e di kush është bërë më i famshëm nga njëri-tjetri, ky nga unë apo unë nga ky. Por, meqenëse më dha portokallin, unë po i jap kollaren time”, është përgjigjur Rama me humor.

Më herët në këtë eveniment foli kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, i cili ftoi të rinjtë që më 23 qershor të votojnë për ndryshimin që i nevojitet Shqipërisë.

“Kemi përpara sfida të panumërta, por jo të pakapërcyeshme. Kryeministri Berisha po ua bën jetën ferr shqiptarëve, por mos u dëshpëroni dhe mos u dorëzoni, nuk është vonë për të pasur një rini të lumtur”, u tha Tahiri të rinjve të pranishëm.

Tahiri nënvizoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare përbëjnë zgjidhjen e vetme për të dalë nga kjo situatë e rëndë ku qeveria ka futur vendin dhe ka ftuar votuesit e rinj që të mbrojnë votën e tyre.

“Duhet ta kthejmë vitin 2013 në vitin e ndryshimit. Ngrihuni në këmbë dhe merrni në dorë fatin e jetës tuaj. Më 23 qershor do të fitojmë me PS dhe Edi Ramën. Premtojini njëri-tjetrit që nuk do të lejoni të vihet dorë mbi vota”, tha Tahiri.

Një mesazh të ngjashëm dha edhe vetë kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali, e cila theksoi se Partia Socialiste do të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Do të punojmë të gjithë së bashku për të arritur ndryshimin. Vendi ynë nuk u përket hajdutëve. Më 23 qershor ne do ta fitojmë Shqipërinë”, tha Spiropali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA