Siri, mbi 80 të vdekur në Aleppo

15/01/2013 23:15

Më shumë se 80 persona kanë mbetur të vrarë nga dy shpërthimet në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, bënë të ditur zyrtarë dhe aktivistë.

Shpërthimet ndodhën në zonën midis konviktit të Universitetit të Aleppo-s dhe Fakultetit të Arkitekturës, në ditën e parë të provimeve.

Observatori Sirian për Të Drejtat e Njeriut njofton se kanë vdekur 83 persona, ndërsa drejtuesit lokalë të Aleppo-s kanë përmendur 82 të vdekur.

Televizioni shtetëror tha se “terroristët” lëshuan raketa mbi kampin, ndërsa aktivistët fajësuan lëshimin e raketave nga avionët luftarak.

Përgjatë dy viteve të luftimeve në Siri, Aleppo ka qenë skena e konfliktit më intensiv, midis qeverisë dhe forcave opozitare.

Gjithsesi, asnjë prej dy palëve të mësipërme nuk ka mundur të detyrojë palën tjetër të ulet në bisedime për zgjidhjen e konfliktit.

Shumë prej betejave janë përqendruar në zonat urbane, duke bërë që Aleppo të konsiderohet  si një “qytet fantazëm” prej shkatërrimeve, nga ana e korrespondentëve të mediave ndërkombëtare.

Gjatë javës së fundit, në të njëjtin qytet, kryengritësit realizuan një ofensivë, të cilës forcat e presidentit Bashar al-Assad iu përgjigjën me bombardime me artileri të rëndë dhe raketa të telekomanduara tokë-tokë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 60 mijë sirianë kanë humbur jetën në luftën civile të nisur në mars 2011, ndërsa konflikti po bëhet gjithmonë e më i përgjakshëm për shkak të rritjes së kapaciteteve ushtarake nga ana e palëve ndërluftuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA