Selia e postës së Maqedonisë në Shkup është përfshirë nga flakët pasditen e së martës, raportoi Agjensia Maqedonase e Lajmeve “MINA”.
Dëshmitarë thanë që pas nisjes së zjarrit u dëgjua një shpërthim i fuqishëm.
Policia ka vendosur aktualisht një kordon rreth ndërtesës, e ndodhur pranë lagjes shqiptare në Çair, ndërsa një numër zjarrëfiksesh po munden të vendosin nën kontroll zjarrin.
Aktualisht, mediat vendase nuk janë në gjendje që të përcaktojnë asnjë shkak të mundshëm për fillimin e zjarrit, ndonëse dyshohet që ai mund të jetë i qëllimshëm.
Informacioni i parë për flakët u komunikua rreth orës 16.30. Kjo ngjarje ndodh ndërsa situata politike në fqinjin tonë lindor është e tensionuar, me opozitën maqedonase që ka realizuar një seri manifestimesh anti-qeveritare në Shkup, gjatë të cilave ka pasur edhe shpërthime sporadike dhune.
Marshet paqësore janë përqendruar përpara disa institucioneve, Televizionit Shtetëror Maqedonas, selisë së partisë në pushtet të kryeministrit Gruevskit, përpara universitetit shtetëror, etj.
Top Channel