
Serbia është e gatshme të diskutojë për çdo gjë, përfshirë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por kryeministri serb, Ivica Daçiç, ia hedh fajin Prishtinës, pasi siç thotë ai, kjo e fundit nuk janë është e gatshme për të biseduar për këto çështje.
“Në këtë rast Prishtina duhet të japë diçka”, ka thënë Daçiç, i cili ka sqaruar se nuk ka asnjë problem për të biseduar, pasi Serbia nuk u shmanget atyre. “Mund të kemi një marrëveshje të gjerë, por për ta arritur këtë, duhet të lëshohet diku. Çfarë mendojnë ata, që vetëm ne do bëjmë lëshimë?”, ka thënë Daçiç.
Aktualisht mes dy vendeve janë në zhvillim bisedimet e grupeve teknike, ndërsa vetë Daçiç dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të takohen më 17 janar, kur tema kryesore është veriu.
Kryeministri serb ka thënë se i ka dorëzuar rezolutën për Kosovën baroneshës Catherine Ashton, shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Hashim Thaçi mund të vendosë se për çfarë dëshiron të bisedohet.
Daçiç është shprehur i bindur se serbët do të kenë rajone të veçanta në Kosovë dhe kjo sipas tij është e pashmangshme.
Top Channel