Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara nga zhvillimi i aftësive luftarake të Kinës, sidomos të aftësisë së saj për rrëzimin e satelitëve amerikanë në hapësirë.
Sipas një raporti të Pentagonit, Pekini është në gjendje të hedhë raketa deri në orbitën e largët. Një zyrtar amerikan i sigurisë, cituar nga agjencia e lajmeve Reuters në kushtet e anonimatit tha se ky sigurisht nuk është një lajm i mirë për Uashingtonin.
Përgjatë vitit 2012, Kina kreu disa teste me raketa ndaj satelitëve të saj në orbitën e afërt. Të vënë përpara kërkesës së llogarisë nga SHBA, zyrtarët kinezë thanë se testet synojnë për rrëzimin e satelitëve synojnë të parandalojnë rënien e pakontrolluar të tyre në tokë.
Por SHBA druhet se objektivi është tjetërkund. Sipas raportit, objektivi i Pekinit mund të jetë edhe zgjerimi i rrezes së veprimit të raketave duke prekur hapësirën ku ndodhen satelitët amerikanë me rëndësi të vecantë komunikimi ushtarak.
Përgjatë 2012 Kina hodhi në hapësirë më shumë satelitë se sa Shtetet e Bashkuara dhe teknologjia ushtarake e vendit aziatik është përmirësuar ndjeshëm dhe planet për të ardhmen janë ambiciozë, por gjithsesi, ajo mbetet pas SHBA-së në zhvillimin teknologjik ushtarak.
Top Channel