Mali, Franca mohon: Konna nuk është çliruar

15/01/2013 23:50

Zyrtarë të ushtrisë franceze kanë mohuar deklaratat e mëparshme të ushtrisë maliane, se qyteti qendror i Konna-s është rimarrë nga forcat qeveritare.

Franca nisi ndërhyrjen ushtarake të premten e kaluar, pasi islamikët pushtuan Konna-n dhe nisën të avanconin akoma më në jug. Një tjetër qytet qendror, Diabaly, u mor në kontroll nga rebelët gjatë së hënës. Ushtarët francezë dhe malianë raportohen se janë nisur drejt këtyre vendeve, në përgatitje për të nisur një sulm nga toka.

Në mars dhe prill të vitit të kaluar, islamikët dhe se rebelët laikë Tuareg pushtuan qendrat kryesore të populluara në veri të Malit. Më tej, islamikët, që kanë lidhje edhe me al-Qaeda-n, morën në kontroll dhe imponuan një formë të ashpër të ligjit Sharia.

Ndërkohë që forcat e Afrikës Perëndimore kanë nisur planet për të rivënë në kontroll të qeverisë së Malit veriun e vendit, rebelët nisën të lëviznin drejt jugut. Ishte pikërisht marrja e qytetit tepër të rëndësishëm strategjik të Konna-s nga rebelët, të enjten e kaluar, ajo që detyroi ushtrinë franceze të ndërhynte.

Aeroplanët ushtarakë të Francës nisën sulmet ajrore ndaj islamikëve ditën pasardhëse dhe, duke nisur nga e shtuna, një zyrtar i ushtrisë maliane tha se kishin rimarrë në kontroll Konna-n, ndërkohë që 100 rebelë ishin vrarë.

Por, ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, tha për reporterët në Paris, të martën, se qyteti nuk ishte në duart e qeverisë. Fushata e sulmeve ajrore të Francës ka bllokuar rebelët, të cilët janë rikthyer në zonën midis Douentza dhe Gao. Por, ai tha se “në këtë moment, qyteti i Konna-s nuk është rikthyer ende te forcat e ushtrisë maliane”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA