Kryemadhi: Nano, kundër Metës se nuk e kontrollonte

15/01/2013 00:00

Një nga drejtueset e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi,
ribën një analizë të veprimtarisë së saj dhe të bashkëshortit Ilir Meta
në drejtimin e Forumit Rinor Eurosocialist duke nisur nga krijimi i tij
deri në vitet 2003.

Po kështu, Kryemadhi flet dhe për krijimin e LSI-së dhe shkaqet që e çuan Fatos Nanon në përjashtimin e Metës nga partia.

Në një intervistë për agjencinë “Studime Politike”, Kryemadhi flet për xhelozinë e madhe që u krijua në PS për shkak të sukseseve të shumta të FRESSH dhe frymës të re që u dha kjo strukturë socialistëve në fillimin e viteve 1990.

Sipas saj, PS në fillim i kishte afruar të rinjtë e FRESSH, sepse asaj i duheshin për të pastruar imazhin e një partie ish-komuniste dhe qëllimi kishte qenë për t’i përdorur ata. “Unë mendoj se në fillim lidershipi i PS i angazhoi individët e FRESSH me qëllim për t’i përdorur. Por ata nuk i kishin bërë llogaritë mirë”, thekson Kryemadhi.

Sipas saj, FRESSH ishte më shumë aktiv dhe shpejt po nxirrte figura tepër potente dhe të rëndësishme brenda kësaj partie. Po kështu, Kryemadhi flet dhe për atë që ajo e quan lëshimin e zgjedhjeve në vitin 1992 nga kjo parti. “Dua të veçoj një moment të rëndësishëm: Kur humbi PS në 22 mars, unë bashkë me Luzhiana Abazin kemi qarë shumë, sepse menduam se PS i shiti zgjedhjet. Në fakt historia tregoi se ishte bërë diku një marrëveshje për lënien e pushtetit”, thekson Kryemadhi.

Po kështu ajo detajon dhe arsyen se pse Nano eliminoi Ilir Metën nga PS, duke theksuar dhe se kjo ishte një zhvillim që kishte kohë që po pritej për shkak të xhelozisë të brendshme. “Siç duket për shkak të konsumit të moshës e faktorëve të tjerë, Nano nuk i bëri aq mirë llogaritë. E gjithë lufta Nano – Meta erdhi vetëm për shkak, se Nano nuk arriti dot ta kontrollonte Ilir Metën. Faktor i rëndësishëm në këtë përballje është edhe roli i të tretëve në këtë marrëdhënie. Gjithnjë kanë ndikuar negativisht individë të caktuar, për të prishur raportin Nano – Meta. E treta, ka qenë edhe xhelozia e Nanos ndaj Metës. Nuk mund të jesh xheloz me kohën. Meta është djali i Nanos në moshë dhe nuk mund të bësh garë me kohën. Kjo shkaktoi edhe largimin nga PS dhe themelimin e LSI-së”, shpjegon Kryemadhi

Top Channel