
Një ditë pasi Partia Socialiste iu drejtua Prokurorisë për të kërkuar
hetimin e vendimit të Qeverisë për privatizimin e katër HEC-eve, me
argumentin se i shkakton qytetarëve shqiptarë një dëm prej 100 milionë
eurosh, ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, e cilësoi këtë
privatizim si një proces tejet transparent.
“Proceset e privatizimit, sic janë dëshmitarë edhe përfaqësuesit e nderuar të medias që janë këtu, janë bërë përpara kamerave, kanë qenë procese që janë zhvilluar në përputhje të plotë me cdo gërmë të ligjeve të vendit dhe besoj që procesi i privatizimit i HEC-eve të Bistricës dhe Ulëz Shkopetit do të konkludohet me sukses”, tha Haxhinasto.
Ndërsa renditi disa nga sukseset e Ministrisë së Ekonomisë në analizën vjetore të këtij institucioni, ministri Haxhinasto nuk përmendi privatizimin e ‘Abpetrolit’, fati i të cilit nuk dihet ende.
Ndërsa duke u ndalur tek projekti për ndërtimin e gazsjellësit ‘TransAdriatik’, ministri Haxhinasto tha se pas tre ditësh pritet të nënshkruhet marrëveshja me konsorciumin. Në këtë kuadër, paraditen e të martës në Ministrinë e Ekonomisë u firmos marrëveshja e parë, ajo për blerjen e gazit natyror nga kompania zvicerane ‘Axpo’, e cila është bashkë-aksionere në projektin e Gazsjellësit ‘TransAdriatik’ me 42.5 % të aksioneve.
Në këtë marrëveshje të nënshkruar nga ministri Haxhinasto dhe përfaqësuesi i kompanisë, Albrecht Zimmermman është parashikuar furnizimi i tregut shqiptar me gaz në masën 250 milionë m3 në vit, çka sipas ministrit Haxhinasto do të rrisë sigurinë energjetike të vendit dhe do të ulë koston e energjisë që përdorin bizneset dhe qytetarët.
Nje dite me pare Partia Socialiste i kërkoi Prokurorisë së Tiranës të hetojë vendimin e Qeverisë për privatizimin e katër hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Ulez Shkopetit.
Dosja është dorëzuar pranë kësaj prokurorie nga deputeti Eduard Shalsi, i cili tha se privatimi i katër HEC-eve u shkakton qytetarëve shqiptarë një dëm prej 100 milionë eurosh.
“Për një megavat fuqi të instaluar, Lanabregasin Qeveria shqiptare që ia shiti Bashkisë së Tiranës, e vlerësoi me 3 milionë euro, pra 1 megavat fuqi të instaluar, 3 milionë euro. Ndërsa për katër HEC-et një megavat fuqi të instaluar e ka vlerësuar dhe e ka shitur me 1.4 milionë euro. Kjo është diferenca që ne kërkojmë që Prokuroria ta hetojë”, tha Shalsi.
Top Channel