Kryebashkiaku i qytetit të Guatemalës lindore, Jutiapa, është qëlluar për vdekje, teksa priste radhën për t’u qethur te berberi.
Dëshmitarë thanë se Carlos Enrique Castillo Medrano, 39 vjeç, u vra nga 2 njerëz të paidentifikuar, të cilët e qëlluan 6 herë përpara se të arratiseshin me motoçikletë.
Vdekja e tij vjen pak pasi presidenti Otto Perez Molina iu adresua popullit në 1-vjetorin e drejtimit të tij, duke lavdëruar “rënien historike të rasteve të dhunës”.
“Vdekjet janë 10% më të ulta”, tha ai. “Kemi patur 525 vrasje më pak në 2012-n, në krahasim me vitin e kaluar”, u shpreh ai gjatë fjalimit para kombit. “Pengmarrjet janë ulur me 33% dhe kemi arritur të shkatërrojmë shumë organizata kriminale”.
Guatemala ka një nga mesataret më të larta të vrasjeve në botë, sipas Kombeve të Bashkuara. Ajo është përpjekur të përballet me dhunën e gjeneruar nga grupet kriminale të drogës.
Pjesa më e madhe e kokainës dhe drogave të tjera, të prodhuara në Amerikën e Jugut, kalojnë përmes Amerikës Qendrore për të shkuar në SHBA.
Bandat e fuqishme, me degë të përhapura në të gjithë rajonin dhe në SHBA, fshihen pas pjesës më të madhe të krimeve, teksa njihen për bashkëpunimin me kartelet e mëdha të drogës në Meksikë, siç është Zetas.
Medrano ka qenë një politikan i vjetër, i cili ka shërbyer si kryebashkiak në Jutiapa për 3 mandate, përpara se të rizgjidhej sërish në 2011-n.
Edhe pse shkaqet janë ende mister, vëllai i tij, ish-kongresmeni Manuel de Jesus Castillo Medrano, është i dënuar me burg, pas akuzave për vrasjen e 4 politikanëve nga vendi fqinj i El Salvadorit.
Top Channel