Bernd Borchardt, shefi i ri i misionit EULEX, zëvendëson më 1 shkurt francezin Xavier Bout de Marnhac.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, diplomati gjerman, me përvojë në Kosovë, deklaroi si prioritete luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kur u largova nga Kosova në vitin ’99 pata bindjen e plotë se populli kërkonte paqe dhe liri, por përveç kësaj ata donin institucione të qendrueshme, demokraci dhe rend ligjor. Pra, ne jemi këtu për të ndihmuar Kosovën europiane, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Por, kemi ende sfida të rënda përballë nesh, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar”, u shpreh Bernd Borchardt.

Megjithëse komandanti i operacioneve civile u përpoq të shmangte tema sensitive të dialogut Prishtinë-Beograd, shefi i deritanishëm i EULEX-it sqaroi se për misionin, prioritet tjetër i rëndësishëm mbetet veriu i Kosovës.

“Situata në veri mbetet një çështje e një shqetësimi të lartë për misionin, siç ka ndodhur këto dy vjet. Por, ka ndryshime domethënëse, siç është nisja e zbatimit të marrëveshjes për pikë-kalimet kufitare… Në termat e sigurisë ka ende një çështje delikate, që duhet zgjidhur, që është liria e qasjes dhe e transportimit të të gjithë punonjësve në dogana. Siç e dini, ne i transportojmë me helikopter oficerët e doganave dhe policët kufitare të Kosovës dhe kjo është një mbështetje e kushtueshme për misionin”, tha Xavier Bout de Marnhac, kreu (në largim) i EULEX.

Veriu i Kosovës pritet të diskutohet dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, mes kryeministrave Thaçi-Daçiç, më 17 Janar. Këtij takimi i paraprin të martën, ai i kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit. Pas ndërprerjes së fundjavës, palët vijojnë diskutimet teknike për energjinë, telekomin dhe mbi mënyrën e funksionimit të doganave në pikë-kalimet kufitare.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA