
Deputeti socialist Arben Ahmetaj thotë se dështimet e Qeverisë në
sektorin energjetik kanë prodhuar një faturë me shumë shifra, e cila po
bie e gjitha mbi kurrizin e qytetarëve.
“Qeveria, Enti Rregullator të dalë përpara shqiptarëve dhe të thotë se kush është përgjegjësi kryesor për dëmin në ekonomi, në buxhet prej 1 miliardë eurosh. Të dalë dhe të thotë çfarë do të ndodhë me zinxhirin prej 1.2 miliardë dollarësh borxhe, kush i zeron, si zerohen dhe në kurriz të kujt shkojnë. Të gjitha këto shkojnë në kurriz të qytetarit shqiptar”, tha deputeti socialist.
Zoti Ahmetaj mendon se shkaku, që sektori energjetik degradoi në një kolaps të dyfishtë është vetëm një, menaxhimi i tij korruptiv, për interesa të grupeve të ngushta të lidhura me Qeverinë.
“Thelbi i problemi është kjo Qeveri, e cila në fakt nuk bën asnjë gjë racionale përveçse ushqen, nga ky sistem i cili sot lëngon, është në falimentim, klientet e vet dhe ne si opozitë në fakt i kemi rreshtuar të gjitha aferat në sektor”, thotë Ahmetaj.
E gjendur përballë dështimit, tashmë zyrtar, të privatizimit të shpërndarjes, Qeveria po shqyrton kalimin e kompanisë në administrim shtetëror. Opozita mendon se procedurat që po ndjek Enti janë qesharake dhe përkeqësojnë krizën, zgjidhja e së cilës sipas saj ka vetëm një recetë, nxjerrjen e sektorit nga korrupsioni.
“Ne jemi të sigurtë si opozitë që administratori shtetëror do të jetë një emër partiak dhe po ju them, kjo aferë me CEZ-in, kjo aferë me sistemin elektroenergjetik shqiptar është afera korruptive e shekullit. Në fakt, një nga gjërat e para që duhet të bëjë opozita e sotme, nesër në Qeveri është zbardhja e kësaj afere marramendëse”, tha Ahmetaj.
Pas disa ditësh Enti Rregullator pritet të marrë vendimin final për licencën e CEZ-it dhe një nga opsionet që po përflitet më shumë është rikthimi i sektorit në administrim shtetëror.
Top Channel