
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt opozitar në Kosovë, ka marrë iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Për këtë duhen firmat e së paku 40 deputetëve.
Seanca do të mbahej para datës 17 janar, kur pritet që në Bruksel të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton.
Kjo nismë vjen pasi Kuvendi i Serbisë miratoi një rezolutë ku thuhet se do të insistohet në instalimin e bashkësisë autonome të komunave serbe në Kosovë. Sipas shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në këtë seancë do të paraqitet edhe një mocion ku do të kërkohet ndërprerja e dialogut.
“Tani do të duhej që Kuvendi i Kosovës të ketë një qëndrim të ri karshi këtyre negocitave. Natyrisht që VV është e interesuar të ndërpriten ato për shkak se janë pa kushte dhe tashmë është bërë e qartë se ku do të përfundojnë. Ne kërkojmë që të ndërpriten bisedimet dhe po ashtu kërkojmë që ky mocion të jetë obligativ për qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar Ymeri.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se pas deklaratave se në takimin e 17 janarit do të flitet për veriun e Kosovës, e vetmja çështje për të cilën mund të flitet është që të kërkohet shpërbërja e strukturave ilegale të Serbisë që veprojnë në atë pjesë dhe asgjë tjetër.
“Nuk mund të injorohet fakti se në pjesën veriore të vendit ekzistojnë struktura ilegale dhe kriminale, banda serbe, etj. Është çështja se si ato të shpërbëhen dhe ky presion do të duhej t’i bëhej Beogradit edhe në takimin i cili do të mbahet, por asgjë më tepër përtej kësaj”, ka thënë Beqiri.
Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se kryeministri i Kosovës ka autorizimin nga Kuvendi për këtë dialog dhe ka shtuar se as Kosova nuk duhet që të ndikohet nga axhenda e të tjerëve.
“Meqenëse qëllimi në politikë është, që në këtë rast është në pyetje Serbia, të futemi ne në axhendën e tyre, ne kemi një axhendë tonën, kemi qëndrimet tona të miratuara në Parlamentin e Kosovës dhe kemi një autorizim të cilin ia kemi dhënë zotit Thaçi dhe qeverisë së tij”, ka deklaruar Haliti.
Sidoqoftë, nëse nuk arrihet që të mblidhen 40 nënshkrimet e deputetëve për seancë të jashtëzakonshme para 17 janarit, atëherë Kuvendi i Kosovës do t’i rikthehet seancave më datë 21 janar.
Top Channel