“Ai pis më ka shkatërruar familjen, s’ua fal abortin e dy fëmijëve të mi”/ Prokurori Ols Dado zbulon përplasjen me Veliajn: Ia kemi dorëzuar aktet, i refuzoi dhe më ofendoi
Javën e kaluar, në qendër të vëmendjes së mediave dhe opinionit publik u vendos akti vandal i shkatërrimit të afreskeve të Onufrit në Kishën e Shën e Premtes në Vlash të Elbasanit. Kisha është pjesë e monumenteve të kulturës, pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare, e cila duket se dita-ditës e më shumë është në rrezik.
Trashëgimia kulturore në rrezik ishte tema e përzgjedhur këtë të hënë nga Shqip me Rudina Xhungën ku në panel ishin dy aktivistët e mbrojtjes kulturore, Lorenc Bejko dhe Auron Tare përballë përfaqësuesve të autoriteteve, Apollon Baçe, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Arbër Kadia nga Drejtoria Rajonale e Kulturës.
Pjesa e parë e emisionit iu përkushtua përllogaritjes së dëmit të shkaktuar në Kishën e Shën e Premtes. Të katër të ftuarit ranë dakort se bëhet fjalë për një dëm kolosal ndaj trashëgimisë sonë, një dëm të pallogaritshëm, aq sa Auron Tare e krahasoi atë njësoj sikur në Itali të vandalizoheshin apo vidheshin vepra të Mikelanxhelos apo Leonardo Da Vincit.
Lorenc Bejko, anëtar i Forumit të Trashëgimisë Kulturore tha se bëhet fjalë për një ndërhyrje brutale në një vepër arti. Ai e cilësoi një krim i pashembullt, i paprecedentë dhe shumë dëshpërues për nivelin e shoqërisë shqiptare dhe problematikën që ajo ka. Sipas zotit Bejko është i nevojshëm një rishikim i gjithë sistemit të mbrojtjes së trashëgimisë.
Në një lidhje direkte, mbi dëmin e shkaktuar dha mendimin e tij edhe arkeologu Aleksandër Meksi. Kisha e Shën e Premtes është një nga monumentet më të rëndësishme për shkak të nivelit të lartë të pikturave të bëra nga piktori, tha Meksi duke shtuar më pas se me aktin e ndërmarrë natën e ndërrimit të viteve, nuk është dhunuar thjesht një afreskt, por gjithë shqiptarizmi. Edhe zoti Meksi shtoi nevojën e reformimit të sistemit të trashëgimisë.
Ndërsa Arbër Kadia nga Drejtoria Rajonale e Kulturës tha se dëmi është tepër i madh, dëm kolosal për kulturën shqiptare. Ai shtoi se kanë nisur hetimet për zbardhjen e aktit vandal dhe vënien e autorëve përballë përgjegjësisë. Edhe Auron Tare, deputet i PS-së dhe anëtar i Forumit të Trashëgimisë Kulturore vlerësoi se është një humbje e madhe për Shqipërinë.
Gentian Stratobërdha, përgjegjës i ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Kishën Ortodokse nëpërmjet një lidhje telefonike tregoi se si ishte vënë në dijeni për dëmin e shkaktuar institucioni që ai përfaqëson, por refuzoi të mbajë përgjegjësi për krimin e ndodhur.
Ndryshe mendon drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Apollon Baçe. Sipas zotit Baça Kisha ka përgjegjësi në bazë të një ligji koordinimi të punës mes Ministrisë së Kulturës dhe këtij institucioni fetar.
Reagimet dhe deklarata e MTKRS-së
Të premten, më 11 janar, Forumi i Trashëgimisë Kulturore protestoi para Ministrisë së Kulturës për atë që e quajti “mesazhi fatalist” të këtij institucioni që pas përhapjes së lajmit për vandalizmin e afreskeve të Onufrit, deklaroi se “është e pamundur të mbroheshin të gjitha monumentet e trashëgimisë kulturore”.
“Arsyeja që shkuam atje ishte mesazhi fatalist që dha Ministria. Mesazh shumë negativ për shoqërinë. Akoma edhe sot Ministri nuk ka shkuar në vendngjarje. Pas përpjekjes së parë për të vjedhur kishën, e vetmja masë që kishte marrë Ministria ishte ndërrimi i celsave. Artan Lame është dekoruar me merita të shquara për ruajtjen e trashëgimisë nga Presidenti Nishani, ndërsa ministri e quan pseudo…”, deklaroi Auron Tare.
Anëtari tjetër i Forumit të Trashëgimisë Kulturore, Lorenc Bejko vlerësoi se lëvizja dhe protestat e tyre dhanë një rezultat, sado minimal, vunë në lëvizje autoritetet, ndërsa lidhur me deklaratat e Ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi shtoi se nuk është “një grup njerëzish pa ide”, por se kanë strategji për mbrojtjen e monumenteve të kulturës.
Arbër Kadia nga Drejtoria Rajonale e Kulturës e cilësoi shkatërrimin e afreskëve të Onufrit të paprecedentë pasi afreskët, sic tha ai, nuk kanë qenë asnjëherë objektiv i vjedhjeve dhe se praktikisht është e pamundur ruajtja e tyre.
Ndërkohë, kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës hodhi dyshime mbi autorësinë e krimit, që sipas tij është kryer ose nga anti-shqiptarë ose nga ata që kërkojnë të bëjnë një lloj skandali.
“Atje ka ndodhur vandalizëm. Unë do ta quaja një maskim me grabitje për të shkatërruar. Nuk shiten ato copat, ndaj duhet parë se cili fërkon duart nga gjithë kjo që ka ndodhur, qarqet anti-kombëtare dhe ai që do të bëjë një lloj skandali me këtë ngjarje. Sa për mbrojtjen, është me të vërtetë e vështirë. Është me të vërtetë një rast i paprecedentë”, tha zoti Baçe.
Në pjesëne tretë Shqip u përpoq t’u përkushtohej strategjive për ruajtjen e vlerave kombëtare. Auron Tare deklaroi se rasti i shkatërrimit të veprave të Onufrit është celësi i duhur për të hapur kutinë e Pandorës.
Tare solli shembuj nga Lezha, Kruja, Gjirokastra, Saranda etj ku janë regjistruar, sipas tij, shkatërrime të monumenteve të rralla kulturore.
Top Channel