Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimeve që ka pasur me tregtarë të vegjël në Laprake, e ka vënë theksin te situata e rënduar ekonomike që sipas tij dallohet e lexohet qartazi duke nisur nga listat marramendëse të borxheve e deri te rënia e xhiros, ulja e fuqisë blerëse e taksat e rënduara.
Sipas Ramës, duhet të hiqet menjëherë taksa e biznesit të vogël dhe gjithashtu duhet stimulimi i kësaj kategorie të biznesit, që nuk është gjë tjetër vetëm se një pjesë e madhe e familjeve shqiptare të vetëpunësuara për të siguruar jetesën.
“Dobët, shumë dobët. Nga një vit më përpara ndoshta as gjysmat s’themi se jemi. Listat pa mbarim, na zë frika të hapim dyqanin që në mëngjes se e hapim dyqanin, bismila me listë. Bukë, ujë, kripë, sheqer, gjërat më të domosdoshme. Keq t’ia japësh, keq mos t’ia japësh”, është ankuar një tregtare.
Në lidhje me situatën e taksave tregtarja thotë: “Për momentin për punën që bëjmë janë goxha të larta sa me zor i mbulojmë me kaq punë sa bëhet. Po edhe një taksë që na u premtua që s’do ta pagunim ata erdhën e morën prapë dy herë në vit. Atë taksën e kasës, që edhe pse thanë se do jetë një herë në vit, erdhën prapë në fund të vitit dhe e morën. Kështu që këto të gjitha, as vetë s’arrijmë ta kuptojmë ku do shkojmë me këto gjëra”, ka thënë më tej tregtarja.
“Jam pa punë, pa zanat, me fëmijë të sëmurë, me burrë të sëmurë, me një kalama të vogël 8-muajsh. Çunin pa punë, vetë jam e sëmurë. Ku do gjejmë derman neve, kur do marrim frymë lirisht neve”, është shprehur e dëshpëruar një grua tjetër.
“Unë me këtë dyqan mbaj 6 vetë. Djalin pa punë 40 vjeç, nusen pa punë, etj. Nëse fitoj ndonjë gjë me këtë dyqan le të me vdesin të katër fëmijët”, ka thënë një tjetër.
“Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël patjetër. Është një shifër mesatare që ju lejon të merrni frymë. Pastaj do riformulojmë gjithë skemën e taksave”, u ka premtuar Rama tregtarëve.
PS është e angazhuar për të bërë të mundur një ndryshim të domosdoshëm, i cili sipas saj do të sigurojë për shqiptarët një politikë të re të zhvillimit, një politikë të re të mbështetjes së biznesit, një politikë të re taksimi të ndershëm dhe një politikë të re të punësimit real.
Top Channel