
Rritja e e borxhit dhe kriza e financave publike kanë hapur mes ekspertëve debatin se si mund të administrohet kjo situatë.
Ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj thotë se kriza nuk mund të ndalet vetëm me kufizimin e sforcuar të shpenzimeve, por imponon dhe rishikimin e taksave.
“Cila nga taksat duhet rritur dhe sa nga rritja e të ardhurave të pritshme do të vijë nga mirëadministrimi, lufta kundër korrupsionit, pjesëtimi i procedurave, ky është një debat jo i lehtë”, thotë ish-ministri Malaj.
Opsioni për një rishikim të butë të taksave mbështetet edhe nga deputeti demokrat Selami Xhepa, por vetëm pasi ekonomia të ringrihet nga kriza.
“Prioritet absolut për momentin mbetet rritja e eficensës së administrimit të sistemit tatimor me nivelet aktuale të taksimit. Në një periudhë paksa më afatmesme, pra kur ndoshta retë e krizës të jenë të tejkaluara, atëherë mund të konsiderohet ndoshta edhe një riaxhustim i niveleve të taksimit në mënyrë që të krijohen në mënyrë permanente të ardhura më të larta të shtuara”, thotë Xhepa.
Ka dhe një argument tjetër se pse ekspertët mbështesin rritjen e taksave. Shkurtimi i shpenzimeve godet më fort të varfërit duke e hedhur gjithë barrën e krizës mbi ta.
“Përballimi i një sfide të vështirë në një vend kërkon që barra të ndahet në një mënyrë sa më të drejtë edhe me një pjesë të popullsisë, ata që preken nga mosrritja e pagave, ata që preken nga fondet sociale, por edhe nga ana tjetër edhe vetë biznesi i një vendi duhet të bëhet pjesë e kontributeve që shkalla e shkurtimeve të mos jetë shumë më e thellë, pasi varfëria rritet dhe kohezioni social dëmtohet rëndë, dhe e dyta dhe më kryesorja nga përmirësimi i stabilitetit financiar publik i vendit përfiton jo pak edhe biznesi i atij vendi”, thotë Malaj.
Qeveria shqiptare shpenzon mesatarisht 27-30 për qind të Prodhimit Kombëtar, përmes buxhetit. Selami Xhepa thotë se nevojat e mëdha për investime publike dhe politikat sociale mund të kërkojnë një nivel pak më të lartë shpenzimesh dhe rrjedhimisht dhe taksash.
“Unë mendoj që në Shqipëri një nivel shpenzimesh qeveritare në nivelet 30-35 për qind të totalit të GDP-së është mëse e mjaftueshme, akomodon jo vetëm programet e investimeve publike, por njëkohësisht edhe adreson shqetësimet sociale, programet e mirëqenies sociale dhe si e tillë, një sistem taksimi që t’i korrespondojë këtyre niveleve të shpenzimeve publike do të ishte si përballueshëm edhe nga sektori privat dhe i përballueshëm edhe nga ekonomia”, thotë Xhepa.
“Qeveria dështoi në filozofinë e saj të taksave shumë të ulëta. Pra, fakti që edhe me taksat deri në 10 për qind që janë më të ulëtat, ekonomia nuk gjeti mundësi që të ringrihej do të thotë që problemet që ka ekonomia shqiptare për t’u ringritur janë reforma strukturore, mirëqeverisja lufta kundër korrupsioni, eficensa e administratës publike, e drejta e pronës, pavarësa e gjyqësorit. Nga ana tjetër një taksë shumë e ulët që konvertohet në rritje borxhi nuk është e mirë për ekonominë e një vendi. Pra ne na duhet një nivel më i mirëstudjuar i taksave”, tha Malaj.
Tre ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi Qeverisë të rishikojë taksat pasi sipas ekspertëve të FMN-së niveli aktual nuk garanton qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Top Channel