Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, i ka ofruar dorëheqjen kryeministrit Hashim Thaçi gjatë së hënës. Siç njofton zyra për shtyp e Ministrisë së Financave, arsyet e dorëheqjes janë çështje familjare dhe të karrierës personale.

“Duke e konsideruar punën në Ministrinë e Financave si përmbyllje të një cikli në karrierën e tij, pas lirimit nga posti i tij zoti Hamza synon të kërkojë më tej sfida të reja profesionale. Zoti Hamza bën të ditur që arsyet e dorëheqjes së tij janë krejtësisht për motive familjare dhe të karrierës personale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Mediat në Prishtinë flasin për mundësinë që Hamza pritet të emërohet përfaqësues i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar në Uashington, ose guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, post të cilin aktualisht është duke e ushtruar Gani Gërguri.

Deri më tani nuk ka ndonjë reagim nga kryeministri Thaçi, por sipas burimeve nga qeveria e Kosovës, që kanë folur në kushte anonimati, ofrimi i dorëheqjes pritet të aprovohet shumë shpejt.

Ndryshe, ministri Hamza vlerëson se angazhimi i tij në kabinetin e kryeministrit Thaçi ka qenë një nder dhe kënaqësi e veçantë për faktin se ka mundur t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave, ndër tjera thuhet se, puna është kurorëzuar me suksese të shumta, në radhë të parë sa i përket ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal dhe përmbushjes së detyrimeve nga programi Stand-By që Kosova ka me FMN-në.

“Përmbushja e këtyre detyrimeve jo vetëm që ka mundësuar lëvrimin e fondeve nga Banka Botërore dhe FMN-ja, por edhe e ka bërë që Kosova të jetë vendi më i suksesshëm në rajon sa i përket qëndrueshmërisë makro-fiskale dhe rritjes ekonomike”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Bedri Hamza ishte emëruar ministër i Financave në qeverinë e Kosovës në shkurtin e vitit 2011, ndërsa para kësaj për tri vite ai kishte qenë zëvëndësministër në këtë dikaster kyç.

Top Channel