Qeveria shkurton investimet

13/01/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kriza e financave publike po e detyron qeverinë të shkurtojë në mënyrë drastike investimet e buxhetit. Sipas Ministrisë së Financave, vitin e kaluar investimet publike zbritën në 56 miliardë lekë ose 4.3% e prodhimit kombëtar.

Ky është niveli më i ulët që nga viti 2000. Por cili është shkaku i këtij rekordi negativ? Grafiku tregon ecurinë e të ardhurave që qeveria mbledh në buxhet nga taksat dhe burimet e tjera financiare. Për vitin 2012, ato zbritën në 24.5% e prodhimit kombëtar, që është rezultati më i keq nga viti 2004.

Dy ditë më parë ministri i financave tha se mungesa e parave i imponon qeverisë shkurtimin e investimeve.

Por kjo ka një faturë të lartë nga pas. Në kushtet kur bizneset dhe individët kanë ulur kërkesën, rënia e investimeve publike po thellon edhe më shumë krizën duke ngadalësuar ritmet e ekonomisë. Për të ndalur këtë qerthull negativ, tre ditë më parë FMN-ja i kërkoi qeverisë të ndalë shkurtimin e investimeve. Madje ekspertët e Fondit propozojnë rritjen e tyre duke i financuar me taksa më të larta, por për ministrin e Financave Ridvan Bode, kjo do kishte efektin e kundërt.

Rritja e borxhit dhe nevojat e larta të Shqipërisë për investime publike po e orientojnë tashmë debatin e financave publike në një kah të ri, atë të taksave. Për FMN-në niveli aktual i taksave nuk i përballon nevojat e buxhetit për para’ dhe shumë shpejt Shqipërisë do t’i duhet të marrë vendime të vështira për të mos rrezikuar stabilitetin financiar.

Top Channel